Liderët botërorë uruan sot kryeministrin britanik Boris Johnson, pas fitores vendimtare të partisë së tij Konservatore në zgjedhjet legjislative britanike.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e përshkroi fitoren e Johnson në zgjedhje si një fitore të jashtëzakonshme.

“Pres me padurim të punoj me ju për miqësinë dhe bashkëpunimin e fortë midis kombeve tona,” deklaroi Merkel.

Presidenti amerikan Donald Trump, dërgoi urimet e tij më të mira përmes një postimi në Twitter. “Urime Boris Johnson-it për FITOREN e tij të madhe!”.

Gjithashtu, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në Bruksel se fitorja Johnson-it ishte një moment qartësimi për Brexit-in.

Kryeministri irlandez Leo Varadkar dhe kryeministri italian Giuseppe Conte gjithashtu uruan Johnson-in nga Brukseli.

“Mund të rrisim bashkëpunimin për përfitim të ndërsjellë mes Italisë dhe Britanisë së Madhe. Urime”, deklaroi Conte.

Matteo Salvini, ish-ministri i Brendshëm italian dhe drejtuesi i partisë së ekstremit të djathtë  “Liga”, uroi gjithashtu Johnson-in për fitoren përmes një postimi në Twitter.

“Nga këndvështrimi polak dhe i BE-së është e rëndësishme për sa kohë do të ketë një stabilizim të skenës politike në Britani. Shpresojmë që së shpejti do të hapim një kapitull të ri”, deklaroi kryeministri polak Mateusz Morawiecki, mes të tjerësh.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb