Emmanuel Levinas, një filozof franko – lituaninen, me mjaft ndikim në mendimin e sotëm evropian, ra rob i ushtrisë hitleriane në fillim të Luftës së dytë botërore. Tregon Levinas se një herë kur të rrethuar nga rojet naziste po punonin e nxirrnin turbë në rrethinat e kampit, ndeshën në një turmë të banorëve të asaj zone. Përshkrimi që ai i bën vështrimit të tyre përbuzës është mjaft mbresëlënës.

Në sytë e tyre ne nuk ishim njerëz, thotë ai ishim thuajse-njerëz, por jo të tillë, ishim një bandë majmunësh të padenjë për gjë tjetër veç përbuzjes.

Por një ditë në atë mjedis shfaqet një qen i braktisur që të burgosurit e quajnë Bobby e që jetonte ashtu si mundte aty rrotull. Vinte që në mëngjes kur bëhej rreshtimi dhe apeli i të burgosurve dhe hidhej e kërcente rrotull tyre.

Ishte e vetmja krijesë që tregonte dhembshuri e dashuri për ne, thotë ai. Pa pikë dyshimi, në sytë e tij ne ishim njerëz.

Eseja është shumë e bukur dhe më tej ai bën një paralele me një fragment të poemës së Homerit, ku tregohet se qeni ishte e vetmja krijesë që njohu të zotin, Uliksin, kur ky i shndërruar në një lypsar, hyn në shtëpinë e tij…

Duke i kthyer te Bobby i tij, Levinas e quan atë “Kantiani i fundit i Gjermanisë naziste…”

Ky rrëfim i filozofit franko-lituanez më sjell shpesh në mendje edhe ndonjë qen tjetër të famshëm, mik i të burgosurve shqiptarë, atë që e përmend si At Zef Pllumi, por edhe mjaft ish të burgosur të tjerë të regjimit komunist e, midis tyre, edhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili një pjesë të rëndësishme të veprës së tij ia ka kushtuar viteve të burgut.

Tarti, kështu quhej një nga qentë që del në kujtimet e ish të burgosurve, kishte cilësinë t’u falte sadopak dhembshuri banorëve të Ferrit shqiptar, Spaçit. Ai jo vetëm që shkonte e luante me ta, duke treguar se sa shumë e çmonte miqësinë e tyre, por me instinktin e tij, dinte ta ndante se në cilën anë rrinte e mira dhe e keqja. Ndryshe vështirë ta shpjegosh se përse ai, sulmonte dhe u vërsulej vetëm jerarkëve me spaleta që hynin në kamp.

Gjatë revoltës së përgjakëshme të Spaçit, ky qen, pa asnjë mëyshje, e ndau se në cilën anë të barrikadë do të rreshtohej.

Shkruan Zhiti: .”.. qeni “kishte marrë pjesë aktive”, qe kacafytur me policët, i kafshonte, zhvaste rroba e mish e dekorata, lehte sa në njërën anë të përleshjeve në tjetrën.

Mbas shtypjes së revoltës, gjyqi e dënoi me vdekje edhe qenin… »
Atij, i ka kushtuar edhe një poezi:
Edhe pse rri
portave të ferrit,
kaq shumë të duam,
nuk je Cereberi.

Zhiti tregon edhe për një qen tjetër. Atë që erdhi i vetëm nga Lezha të takojë të zotin e burgosur në kamp, pasi e shoqja dhe fëmijët e kishin braktisur e nuk shkonin më ta shihnin, por kjo është histori tjetër…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb