TIRANË

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boci ka reaguar në “Facebook” duke denoncuar se 42 për qind e forcës aktive për punë në Shqipëri rezulton vetëm me arsim 8-9 vjeçar.


Ai hedh akuza drejt qeverisë, ndërsa thotë se kjo shifër tregon se politikat arsimore kanë dështuar totalisht. Sipas tij, fëmijët nuk kanë të ardhme nga politikat arsimore, të cilat po implementohen nga kryeministri Edi Rama.


Postimi i Luçiano Boçi:

TURP E SKANDAL, 42% e forcës aktive për punë në Shqipëri rezulton me arsim 8-9 vjeçar. Vendi i tretë në Europë me përqindjen më të lartë.


Tjetër skandal dhe turp ky! Kjo renditje ndjek atë për IQ ku Shqipëria renditej e parafundit. Dështim total i politikave arsimore.

Kjo dëshmon braktisjen e madhe në arsim, ku shkaku kryesor mbetet pamundësia ekonomike e familjeve shqiptare dhe emigracioni galopant. 135 mijë ka shkuar numri i braktisjes nga fëmijët dhe të rinjtë i cikleve arsimore në këto vite. Renditja hedh poshtë alarmin e rremë për diplomime të pakufishme për të rinjtë, për shkak të numrit të madh të universiteteve.

Ajo godet politikat e zbatuara nga Rama&company për të penguar të rinjtë shqiptarë të vazhdojnë arsimin e lartë dhe mungesën e stimulimit për të ndjekur arsimin e mesëm. Të dy klasifikimet rikthejnë shqetësimin për financimin e arsimit. Arsimi në Shqipëri mbetet sektori më pak i mbështetur dhe më pak i financuar. Vetëm 56 $ për frymë. Ndërsa në vendet e përparuara kjo shifër shkon nga 1000 deri në 3500 $ për frymë.

Por në Shqipëri paratë e dedikuar fëmijëve dhe të rinjve grabiten, vidhen me PPP, konçesione e 100 marifete. Me Ramën, fëmijët tanë, të rinjtë dhe arsimi i tyre nuk kanë të ardhme. Hajduti psiqik i votave është hajduti i së ardhmes. Largimi i tij domosdoshmëri jetike për vendin.

(BalkanWeb)

Etiketa: