Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar lidhur me zhvillimet politike në vend, veçanërisht sa i takon opozitës, ku logo dhe vula iu kalua grupimit të Sali Berishës.

Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së, tha se ky me të vërtetë është viti i Partisë Demokratike, duke vënë theksin te marrja e vulës dhe lirimi nga masa e arrestit për kreun demokrat Sali Berisha.

Boçi tha se nuk ka pasur asnjë pakt me Edi Ramën për të marrë vulën e PD-së dhe formalizimin e kësaj partie.

“Kush e ka pranuar këtë skenarin që paska pasur pakt me Edi Ramën për vulën? Në marrjen e vulës ka pasur një njeri që besonte deri në fund, që ishte Sali Berisha”, tha Boçi. Ai u shpreh se kemi të pamundurat që u bënë të mundur dhe e pamundura e 3-të është se opozita mund të fitojë zgjedhjet.

Në këtë kuadër, Boçi tha se partitë e djathta nuk kanë atë forcën e strukturave apo numrin e anëtarëve sikundër është te partitë e majta, por te e djathta është fryma. “E pamundura do të bëhet e mundur, fryma është në rritje”, tha Boçi.

Ai theksoi se SPAK ka bërë një lojë politike, Edi Rama po luan me SPAK sikur ta ketë organizatë politike, përsa kohë nuk po goditet korrupsioni.

“Në 2025 do të bëhet e mundur ajo që konsiderohet e pamundur, fitorja e zgjedhjeve”, tha Boçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb