NGA: Valentina Madani
Luçiano Boçi, deputet dhe kreu i departamentit për arsimin në PD, akuzoi fort mazhorancën qeverisëse për dhunim të Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së kryeprokurores Marku. Përmes “Gazeta Shqiptare”, z. Boçi thotë se “Drejtësisë e parlamentit “ia vuri flakën” djegia e Kushtetutës nga Rama e Ruçi dhe jo ndezja e flakadanëve”. Sipas tij, flakadanët e marrja e foltores kishin mesazhin e tyre, sikurse çizmja-mesazh e kryetares së LSI-së, drejtuar Ramës. Sa i përket konsensusit për kryeprokurorin e ri zyrtari demokrat është i prerë: “Konsensusi politik nuk është tavolinë me peshk…”, z. Boçi shpreh shqetësimin se tashmë me emërimin e kryeprokurores së përkohshme, peshqit e mëdhenj, për të cilët ka folur Donald Lu, nuk do kapen as në janar e as në prill…

Z. Boçi, përse kaq e tensionuar situata politike në vend dhe cila zgjidhje mund ta qetësojë krizën aktuale?
Ka shumë faktorë për situatën e tensionuar politike dhe kjo nuk është çështje tradite, apo mospjekurie e klasës politike. Kryesore janë konfigurimi i sotëm politik dhe kalimi “zgjedhor” i pushtetit në pronësi të sindikatës famëkeqe krim-politikë. Raporti i forcave politike, entitetet mazhorancë-opozitë, numri i vendeve në parlament, nuk janë më produkt i vullnetit të lirë të votuesit dhe as rezultat i veprimit të një demokracie reale. Parlamenti është ilegjitim, administrata e kriminalizuar dhe e korruptuar, shteti i dirigjuar nga organizatat e narkotrafikut. Deformacionet politike janë kaq ekstreme sa është e pamundur të ketë “paqe nën ullinj (reforma)”. Shto këtu abuzivizmin me ekonominë, arrogancën në rritje të pushtetit ndaj biznesit, përçmimin e fermerit, mungesën e mbështetjes sociale, papunësinë, mungesën e së ardhmes, arsimin e çalë, shëndetësinë në koma dhe dramaciteti i demokracisë sonë i kalon kufijtë e fantazisë.

Në këto rrethana ajo që kërkohet është rithemelimi i demokracisë, kthimi në jetë i saj mbi baza dhe parime solide, mbi vlera e vizione që kanë në qendër prosperitetin e vendit dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Si të thuash, ajo ka nevojë për një “reset-im” total. Kjo nis së pari me instalimin e drejtësisë politike nëpërmjet një rikonfigurimi të forcave politike që shpreh vullnetin e drejtë të votuesit dhe që kalon nëpërmjet një kodi, sistemi e procesi zgjedhor që ka në themel të tij vërtetësinë e lirinë e votës. Drejtësia politike është ajo që produkton dhe drejtësinë sociale dhe drejtësinë e drejtësisë. Pa drejtësi politike Shqipëria po rrokulliset symbyllur në inerci totale drejt një perspektive të errët e pa një pikëmbërritje.

Mazhoranca e zgjodhi kryeprokuroren e përkohshme, por a është e gatshme opozita të negocioje me PS-në për kryeprokurorin e ri që do zgjidhet në muajin prill?
E para, mazhoranca nuk e zgjodhi, por e emëroi kryeprokuroren me 36 vota, jashtë çdo përcaktimi kushtetues dhe ligjor. Madje dhe jashtë termave e qëllimeve të reformës në drejtësi. Më saktë, Rama zgjodhi të jetë vetë ai kryeprokurori. E dyta, askush nuk garanton që “i riu” do zgjidhet në prill, nuk shkruhet gjëkundi që kryeprokurorja qëndron në detyrë deri në prill. Të jesh i përkohshëm dhe të jesh me mandat janë dy koncepte që nuk përputhen. Thelbi i një mandati të dhënë nga parlamenti ose nga zgjedhja është kohësia e definuar saktë dhe dhënia e tij në përputhje me Kushtetutën. Në këtë rast nuk u respektua as njëra e as tjetra. Termi krye-prokuror i përkohshëm ishte një as i dalë nga mënga e pokerxhinjve socialistë për të fituar lojën e kapjes së drejtësisë në tavolinë. Për sa i takon kryeprokurorit “të përhershëm”, që nuk mund të jetë i tillë, por e quajmë për analogji me “të përkohshëm”, apo të mandatuar, por mandat ka dhe i përkohshmi, të zgjedhur, por i zgjedhur është dhe i përkohshmi, PD i përmbahet asaj çfarë shkruan Kushtetuta dhe ligji. Çdo gjë është vullnet kushtetues dhe jo palësh. Konsensusi politik nuk është “tavolinë me peshk, për të zënë peshq”, por është detyrim kushtetues.
Intervisten mund ta lexoni GSH.al:http://www.gsh.al/2017/12/25/boci-mesazhi-per-ramen-permes-cizmes-dhe-flakadaneve-peshqit-e-medhenj-u-bene-peshkatare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: