TIRANË

Deputeti Fatmir Xhafaj  e cilëson të turpshme ngjarjen e ndodhur sot në sallën e seancave ku Edi Paloka i hodhi bojë kryeministrit Rama pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Talat Xhaferit për shkeljen e kodit të mikpritjes nga opozita.

Përmes një postimi në twitter, deputeti Xhafaj nënvizon se një akt i tillë fyen të gjithë, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit.

“Një TURP kjo që ndodhi sot në Kuvend. Një akt që na fyen të gjithëve, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit. Bërë kjo, në prani të mysafirit të nderuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të nderuar momentin historik të anëtarësimit në NATO të fqinjit lindor, i bën nxitësit e ekzekutuesit e aktit, me TURP para gjithë shqiptarëve. Këtej e andej kufirit”, shkruan Xhafaj.

Deputeti socialist  shkruan se kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare, ndërsa thekson se ky nuk është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët.

“Kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare. Ky NUK është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët! Ndjesë mikut e kolegut Talat Xhaferri. Shqiptarët në shekuj kanë respektuar mikun, fqinjin, e më shumë akoma vëllain e tyre të gjakut. Urime fqinjëve tanë për anëtarësimin në NATO. Urime fqinjëve tanë ?? për anëtarësimin në NATO!”,  shprehet  Xhafaj.

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: