TIRANE- Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi replikoi sot në distancë me kandidatin e ASHE-së, Erion Veliaj në lidhje me shkaktarët e betonizimit të parkut të liqenit. Sipas Bojaxhi, Berisha, Rama dhe Velija janë personat që kanë nënshkruar masakrimin e hapësirave të gjelbërta.
“Çfarë shprese mund të kenë qytetarët për z.Veliaj kur ai nuk guxon të denoncojë rolin e Edi Ramës në masakrimin e mushkërive të gjelbërta të Tiranës. Çfarë shprese mund të kenë qytetarët e Tiranës për z.Veliaj kur ai i betohet për besnikëri dhe vazhdimësi të pakushtëzuar ish-kryebashkiakut Rama që e ktheu Tiranën në pyll betoni në bashkëpunim me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Rasti i Veliajt dëshmon se lufta mes PD-se dhe PS-së është vetëm një teatër i pacipë, ndërkohë që të dy partitë bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me bizneset e tyre klienteliste në kurriz të qytetit. Z.Veliaj, është gjithashtu një shembull i atyre të rinjve që në vend që të përpiqen për ndryshimin e politikës përmes vlerave të vërteta, bëhen vegla të sistemit të korrupsionit të dy partive kryesore dhe bizneseve te tyre”.
(ma.ar/BalkanWeb)