NGA ARMAND MERO*
Gjergj Bojaxhi, një figurë e njohur publike, njoftoi sot se do të përfshihet në garën për zgjedhjet e ardhshme vendore, për kreun e Bashkisë së kryeqytetit si një kandidat i pavarur.
Në intervistën e tij të parë pasi shpalli kandidaturën, zoti Bojaxhi thotë për “Zërin e Amerikës” se jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, sipas tij, politika është kthyer në problemin kryesor për qytetarët, e se për këtë arsye, ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje tjetër. Në Tiranë shtoi ai, politika i ka shërbyer interesave klienteliste dhe jo atyre të qytetarëve.

Zoti Bojaxhi, ju sot shpallët kandidaturën tuaj në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Si erdhi ky vendim?
“Ky është një vendim që nuk është marrë lehtë. Por nga ana tjetër situata që ne kemi në vend, mënyra se si ne bëjmë politikë, shqetësimet tona si qytetarë që nuk zgjidhen, e bëjnë shumë të lehtë të marrësh vendime të tilla. Nuk po e gjejmë më veten as të përfaqësuar nga partitë politike, në të gjithë spektrin e tyre. Mendoj se ka ardhur koha që të fillojmë kuptojmë se partitë politike nuk janë më zgjidhje për problemin që ne kemi qoftë më Tiranë qoftë në përgjithësi në Shqipëri, por kanë filluar të bëhen problem që ne kemi. Dhe ka ardhur koha që ne të fillojmë të gjejmë zgjidhje të tjera, dhe ky kandidim i mbështetur nga një grup qytetarësh është pikërisht një hap i tillë”.

Megjithatë, ju praktikisht po synoni të thyeni gati-gati një tabu’. Jo vetëm në Tiranë por thuajse dhe në të gjithë Shqipërinë mbizotërojnë dy forcat kryesore politike. Aq më tepër që këtë vit Tirana merr dhe një peshë edhe më të madhe për shkak dhe të ndarjes së re territoriale. Dhe ju vetë në fjalën tuaj të shpalljes së kandidaturës u shprehët për një sfidë të vështirë…
“Padyshim që është një sfidë e vështirë. Është e vërtetë që është një tabu’, por është i vërtetë edhe fakti që ne kemi një vend që ka varfëri, që nuk ka një perspektivë për zhvillim ekonomik, për punësim për të rinjtë. Një vend i cili nuk po na zgjidh më problemet që ne kemi. Unë mendoj se kjo është një tabu’ shumë e lehtë për t’u thyer, nëse marrim parasysh se vetë shqiptarët duan të thyejnë tabunë e varfërisë, të keqmenaxhimit, të abuzimit me hapësirat publike”.

Cilat janë sipas jush problemet kryesore me të cilat ndeshet sot Tirana?
“Unë do të thosha që nëse do të përpiqeshim të diskutonim teknikisht, problemet kryesore janë padyshim transporti, trafiku, ajri i ndotur, mungesa e hapësirave të gjelbra, mungesa e shkollave, ne e dimë që shumica e tyre janë me dy turne. Në këtë këndvështrim duket sikur problemet janë teknike. Ne mendojmë që problemet janë thelbësisht politike. Klasa politike e ka përdorur Tiranën si një mandat për të abuzuar, për t’i shërbyer interesave klienteliste dhe kjo është Tirana që ne kemi sot. Ne nuk kemi një qytet pa trotuare e pa rrugë se nuk kemi urbanistë që nuk dinë projekte. Por kemi një qytet pa trotuare e pa rrugë të asfaltuara sepse klasa politike e përdor Tiranën për të kënaqur grupe të ngushta interesi dhe jo për t’i shërbyer qytetit”.

Pse mendoni se do të mund të sillni te qytetarët e Tiranës këtë pjesë të munguar? Në fund të fundit edhe ju vetë vini nga një eksperiencë politike…
“Unë e konsideroj një përvojë politike të nevojshme në mënyrë që të jem sot një kandidat i mirë, I prezantuar përpara qytetarëve të Tiranës. Unë mendoj se nuk do të isha një kandidat i mirë nëse nuk do ta kisha patur atë përvojë administrative dhe politike”

A mendoni se mund të përbëjë një pengesë fakti që ju vini nga e djathta. Pavarësisht se ju nuk jeni aktiv në jetën e Partisë Demokratike, por ju jeni anëtar i saj. Dhe ju vetë nuk e keni mohuar këtë. Dhe kjo ndoshta mund të krijojë një farë mosbesimi tek ajo pjesë e së majtës e cila mund të mos e shohë veten te e majta aktuale?
“Unë besoj se qytetarët shqiptarë, dhe atë të Tiranës në veçanti, e kanë parë gjithnjë Gjergj Bojaxhiun, si një njeri, si një individ, si një administrator, i cili kudo ku ka qenë ka bërë një punë dhe ka punuar për interesin publik. Unë nuk kam bërë kurrë militantin dhe nuk kam mbrojtur kurrë me pathos dikë apo diçka që është e padrejtë. Dhe për këtë kam marrë kudo vlerësimin e qytetarëve të Tiranës, kudo ku kam qenë. Dhe nuk kam dëgjuar kurrë që dikush të më thotë se nuk të mbështes në punën që po bën se je në një parti apo një tjetër”.

Fushatat vetë janë jo pak të kushtueshme. Përballë keni dy partitë më të mëdha që kanë burime qoftë financiare dhe njerëzore. Ju si mendoni ta përballoni këtë fushatë. Nga do t’ju vijnë fondet, cila do të jetë mbështetja juaj financiare?
“Mbështetja jonë financiare do të vijë nga qytetarët e thjeshtë dhe nga grupe interesi të cilat do të jenë të deklaruara, publike dhe jo të kriminalizuara. Përsa i përket kostos së fushatës, mund të them se fushatë të shtrenjtë kanë nevojë të bëjnë ata që duan të blejnë apo vjedhin vota. Dikush që kërkon të bëjë një fushatë të drejtpërdrejtë dhe përballë qytetarëve, nuk e ka fushatën e shtrenjtë. Përkundrazi do të thosha që e ka shumë të përballueshme”.

Tani që kufijtë e Tiranës janë zgjeruar së tepërmi. A ju duket e mjaftueshme koha prej afër 2 muaj e gjysmë?
“Kam përshtypjen se kandidatët e tjerë nuk kanë nisur ende fushatën, madje nuk e dimë as kush janë . Megjithatë është më mirë një hap në drejtimin e duhur se sa një hap që nuk është bërë kurrë”.

Pse zgjodhët të shpallni kandidaturën në një vend të hapur, jo sipas një formule klasike që është ndjekur deri më tani. Ka ndonjë domethënie? Në sfond kishte një grup të rinjsh…
“Nuk janë një grup të rinjsh. Janë një grup qytetarësh. Profesionistë, të cilët janë secili në punën e tyre në fushën e tyre. Njerëz që nuk kanë nevojë as për punësime në shtet, apo për tendera në shtet. Simbolika është shumë e qartë. Ne po e bëjmë këtë për t’ia marrë Tiranën, partive politike. Ato janë shkaku që ne kemi sot këtë qytet, që kemi këto problematika. Dhe ka ardhur koha të tregojmë se gjërat mund të bëhen ndryshe dhe mund të jenë të suksesshme duke i bërë ndryshe.

Projekti juaj nis dhe përfundon këtu me këtë garë? Nëse do të arrinit të fitoni, mbyllet ky projekt, apo angazhimi juaj, apo qoftë dhe beteja për të përmirësuar Tiranën do të vazhdojë dhe më tej?
E para nuk është projekti im. Është projekti i një grupi njerëzish. Unë jam thjesht kandidatura e përzgjedhur për ta përfaqësuar këtë projekt. Dhe për sa kohë qytetarët e TIranës japin një mesazh të qartë që e duan këtë lloj ndryshimi, e duan një qeverisje tjetër, një qeverisje ndryshe, ne nuk do e ndalojmë punën tonë derisa kjo të bëhet realitet, në Tiranë dhe në Shqipëri, pse jo.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: