TIRANE

Në një prononcim për mediat në përfundim të seancës plenare, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali akuzoi opozitën se gjithnjë gjen një mënyrë për të turpëruar Shqipërinë në sytë e Botës.

“Opozita të shtunën do ta kthejë atë bojë në zjarr për të djegur Shqipërinë. Dhe ne besojmë dhe kemi arsye të forta për të besuar se sa herë Shqipëria i ka punët mirë, sa herë rajoni dhe faktori shqiptar forcohet opozita gjen një mënyrë për të turpëruar Shqipërinë në sytë e botës. I themi njerëzve që janë më të zgjuar dhe më inteligjent se ajo turmë që u fut në Kuvend për të bërë atë shfaqje, që mos të ndjekin zjarrin e opozitës por të qëndrojnë deri në fund me Shqipërinë. Në këtë moment të gjithë shqiptarët duhet të janë ne një zë që aktet e tilla të mos përsëriten. Për masat që do merren ndaj personave do vendosë kryesia e kuvendit.”- tha Spiropali

Ndër të tjera Spiropali i kërkoi ndjesë shqiptarëve për sjelljen e turpshme në Kuvend, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferri.

Prononcimi i plotë për mediat:

Kishim këtu mikun dhe vëllain, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut i cili priste nga ne, jo vetëm mikpritjen siç na takon, edhe me kanun, në daçi, edhe me ligje, por edhe me miqësinë dhe vëllazërinë që i karakterizon vendet tona, për më tepër për shqiptarët që janë një realitet shtetformues në Maqedoni dhe pa me sytë e tij një katandisje të llahtarshme të opozitës shqiptare.

E dyta, zoti Basha dhe opozita nuk duhet të ngatërronte mexhliset, sepse aty, në ato aula, në Parlament kishte të rinj dhe të reja, studentë të Juridikut, të Ekonomikut, të fakulteteve shqiptare që prisnin nga ajo seancë solemnitet dhe seriozitet minimalisht dhe u bënë dëshmitarë të një shfaqjeje të turpshme, ku, e para, kryetari i opozitës ngatërroi fjalimet.
Fjalimi i kryetarit të opozitës nuk ishte për ratifikimin e Marrëveshjes së Aderimit të Maqedonisë së Veriut në Traktatin e NATO-s, por ishte fjalimi i tij i zakonshëm, ku nuk lë gjë pa thënë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jo për qeverinë, e theksoj.

Patjetër që Kryeministri e mori fjalën për t’i kërkuar ndjesë mikut që kishim aty, i cili ishte fyer në mikpritjen tonë, në shtëpinë tonë dhe patjetër që iu referua fëmijës që drejton opozitën shqiptare.

Në rast se do ishte vetëm një deputet, i cili hedh bojë në Kuvendin e Shqipërisë mbi Kryeministrin e vendit, një deputet i njohur për defiçencat e tij, sigurisht ne nuk do merreshim me të sot, por ai është mishërimi më i qartë i vizionit, i lidershipit, i frymëzimit opozitar. Ja, ai deputeti që hodhi bojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ne gjejmë rastin këtu t’iu themi qytetarëve shqiptarë, edhe pse ajo bojë u hodh mbi ne, e para t’i kërkojmë ndjesë popullit shqiptar për këtë shfaqje, t’i bëjmë të ditur se, opozita në protestën e të shtunës do ta kthejë atë bojë në zjarr për të djegur Shqipërinë dhe ne besojmë dhe kemi arsye të forta për të besuar, që, sa herë Shqipëria i ka punët mirë, sa herë rajoni dhe faktori shqiptar forcohet opozita gjen një mënyrë për të turpëruar Shqipërinë në sytë e botës.

Iu themi njerëzve të cilët, patjetër janë më të zgjuar se ajo turmë që u fut sot në Kuvend për të bërë atë shfaqje, që të mos ndjekin zjarrin e opozitës, por t’i qëndrojnë deri në fund Shqipërisë, me Shqipërinë dhe për Shqipërinë.
Dua ta përfundoj fjalën time, duke thënë se në këtë moment të gjithë shqiptarët duhet të jenë në një zë që akte të tilla të mos përsëriten.

Për masat që do merren pastaj ndaj personave do vendosë Kryesia e Kuvendit, por, besoj se qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke i flakur këta të pacipë në koshin e historisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb