NGA KLODIANA LALA

TIRANE
– Gjendja e komunitetit të avokatëve në vend është alarmante. Shumica e mbrojtësve ligjorë nuk sigurojnë dot të ardhura minimale, ndaj vendimi i qeverisë për rritjen e taksave do t’i detyronte ata të braktisnin profesionin. Kështu deklaron kreu i Dhomës së Avokatisë Tiranë, Fatmir Braka për “GSH” në përfundim të ditës së parë të bojkotit treditor të të gjitha proceseve penale e civile. “Situata duhet thënë që nuk është normale. Vendimi i qeverisë po detyron avokatët të braktisin profesionin. Ne marrim përditë ankesa prej tyre. Ne konstatojmë se shumica dërrmuese e avokatëve nuk sigurojnë dot të ardhurat minimale dhe nga ana tjetër detyrohen të paguajnë shifra që nuk i përballojnë dot”, tha Braka. Në fakt, vendimi për një bojkot treditor të proceseve gjyqësore e civile në të gjithë vendin u mor për shkak se qeveria nuk reagoi, edhe pse më herët avokatët bojkotuan për një ditë proceset.

Kreu i Dhomës së Avokatisë së kryeqytetit shprehet se reagimi i avokatëve nuk është i vonuar, pasi të gjitha opinionet e tyre dërguar institucioneve, në kohën e draftimit të ligjit, nuk janë marrë parasysh.

“Nuk jemi të vonuar në reagimin tonë. Ne kemi dërguar opinionet tona, por nuk u morën parasysh”, thekson Braka. Avokati i njohur Braka u shpreh se avokatët të cilët nuk respektuan bojkotin do t’i nënshtrohen procedimit disiplinor. “Kemi konstatuar me keqardhje që disa avokatë nuk kanë respektuar bojkotin. Nuk mund të jap shifra, por Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur që kushdo që shkel bojkotin, do t’i nënshtrohet procedimit disiplinor. Ndaj do ta respektojmë këtë vendim”, tha Braka. Në fakt, në gjykatat e kryeqytetit, por edhe në rrethe në shumicë dërrmuese bojkoti u respektua.

Gjykatësit nuk mundën të zhvillonin seanca, por thjesht finalizuan proceset me shtyrje. Ndaj, përgjatë vëzhgimit në godinat e drejtësisë, gjithçka dukej e shkretë. Prokurorët bënë ecejaket e tyre nga prokuroria deri në sallat e gjyqit, duke u paraqitur formalisht. E vetmja gjykatë që zhvilloi procese ishte Gjykata e Lartë, pasi një numër i papërfillshëm avokatësh u paraqitën për të mbrojtur klientët e tyre. Një prej proceseve që u zhvillua normalisht ishte ai për të pandehurit e të ashtuquajturës organizata kriminale “Hakmarrja për drejtësi shqiptare”.

Ndërkohë, drejtuesit e Dhomës Kombëtarë të Avokatisë, asaj të Tiranës, si dhe të Dhomave në rrethe, me pjesëmarrjen e një numri të lartë avokatësh u bënë bashkë në një mbledhje të jashtëzakonshme, për të marrë vendimet përkatëse lidhur me ecurinë e bojkotit. Unanimisht lanë të hapur mundësinë e përshkallëzimit të bojkotit, nëse qeveria nuk reagon për kërkesat e komunitetit të avokatëve. Madje, avokatët kërcënuan se do të bojkotojnë edhe seancat e masave të sigurimit personal, çka do të çonte në kolaps sistemin e drejtësisë, për shkak se njerëz të dyshuar për vepra të ndryshme penale do të rrezikonin lirinë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: