Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si idiotësi ato që thuhen mbi krijimin e “shtetit Bektashi”. Ndërsa e ka cilësuar ruajtjen e komunitetit Bektashi si një interes kombëtar, Rama tha se deri më tania to janë lënë si jetimë, në sensin që nuk ka lidhje me fuqitë që kanë komunitetet e tjera.

“Nuk ka shtete të tjera që i mbështesin Bektashinjtë, megjithëse është një Urdhër që ka njerëz në të gjithë Botën, nuk ka vetëm shqiptarë.
Kjo kundërshtia me çdo çmim bëhet vetëm se e thotë Edi Rama”, tha Kryeministri.

Ai u shpreh se Shqipëria ka një Kushtetutë, sikundër respekton ligjet ndërkombëtare, ndaj i gjithë procesi do të bazohet dhe do të respektojë si Kushtetutën ashtu edhe ligjet ndërkombëtare.

“Ky proces ka vetëm të mira, qoftë nga pikpamja e atraksionit, vizibilitetit, etj etj”, tha Rama, ndërsa shtoi se gjithçka që ka dëgjuar deri më tani lidhur me këtë çështje janë çudira të padëgjuara më parë.

Dhe në këtë kuadër, Kreu i Qeverisë tha se gjëja që e ka habitur më shumë është padija mbi Urdhrin e Bektashinjve, çfarë përfaqëson në historinë e kombit tonë, çfarë roli ka pasur dhe çfarë përfaqëson për kombin tonë.

“Unë jam katolik, s’jam mysliman. Por kam pasur fatin e mirë që gruan ka kem myslimane dhe dy kalamajtë janë ortodoksë.

Në këtë aspekt askush nuk mund të më thotë mua se “shteti Bektashi” është “shtet islamik”.

Komuniteti Bektashi është një nga 4 komunitetet kryesore në vend. Kemi komunitetin mysliman, ortodoks dhe katolik. Këta të tre e kanë të ardhmen e garantuar, marrin mbështetjen nga të katër anët, kanë mbështetje maksimale dhe e kanë të ardhmen shumë të garantuar.

Ndërsa ky i katërti nuk e ka këtë mbështetje dhe unë po ju them se për pak dekada nuk do të ketë më një sistem me të gjithë figurat që duhet të ketë, sepse fuqia për ta prodhuar brezin tjetër nuk është.

Të tjerët i shkollojnë imamët dhe priftërinjtë në plot vende të Botës, po këta ku do i shkollojnë?

Entiteti sovran do të thotë që statusi i këtij Urdhri të ngrihet në maksimum. Ata janë në pronën e tyre, i kanë pasur denbabaden. Kanë një status si një seli diplomatike, çjanë këto që krahasime me “shtet islamik”?

Është për të qeshur dhe për të qarë, por në rastin konkret është për të qarë, mbi ato që fantazohet.

Thuhen idiotësi të tilla sikur kjo është lojë e Serbisë, që kjo do të bëhet këtu , që pastaj të ngrihet shteti ortodoks në Kosovë.

Që të kuptohet mirë biseda unë do ju sugjeroja që të hapni librat e historisë të Urdhrit të Bektashinjve, të Naim Frashërit. Nuk besoj se Naimi ka qenë agjent i Soros, nuk ma do mendja që ka qenë i blerë nga Vuçiç, dhe atje të shikojnë si ka rrjedhur historia e këtij Urdhri”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: