Nga: KIÇO BLUSHI*
Sa herë bëhen publike akuza e denoncime kundër qeverisë, do të dalin në foltoren e Kuvendit e në media deputetët e maxhorancës, zëdhënësit e partisë, ministrat e qeverisë, tash edhe një portal “Transparenca.al” i Kryeministrisë që të kundërpërgjigjen e kërleshen flakë për flakë. Nga shumica dërrmuese e reagimeve të tyre afërsisht del ky përfundim: “Fajin e ka Saliu!”, që do të thotë se në qeverisjen e Berishës janë bërë shumë zullume, se ka pas qenë keqqeverisja e djeshme që e ka fajin për gjendjen e vështirë, pasi Saliu na la trashëgim një gropë të madhe financiare, vjedhjet, abuzimet, korrupsionin, trafiqet, vrasjet e 21 janarit, shpërdorimet e pronës publike, tarafet, etj., etj. Pra, për pasojë, ata që qeverisin aktualisht janë të shfajësuar për vonesën në “drejtimin e duhur”, sepse fajin e kanë herë ata që ikën, pararendësit.
Kjo propagandë me reagime kinse politike tekefundit synon të mbjellë bindje e besim se punët e qeverisjes së sotme nuk po ecin mbroth, siç do të dëshironte “Rilindja” të ecnin. Për shkak se nuk mund të lahet e shpëlahet fytyra në legenin e djeshëm, qytetarët, me votën e tyre plebishitare votuan më shumë kundër Berishës, se pro Ramës, duke shpresuar për një ndryshim rrënjësor. Por pasi mbaruan zgjedhjet, “Fajin e ka Saliu” nuk vlen më. Berisha nuk kthehet dot më, edhe pse deklaroi se do të mbetet deputet deri në vitin 2027, dmth edhe 12 vjet të tjera, deri në pleqërinë e thellë. Kjo thagmë e tij indirekt nuk provon bindjen e tij, por se qeveria nuk ka veprim, zgjidhje, rrugëdalje, përmirësim të jetesës nëpërmjet një qeverisjeje të efektshme; jo me fjalë, por me vepra, jo me slogane, fjalërime e fasada, por me ndryshime e përmirësime thelbësore, të cilat e shtyjnë shoqërinë përpara.
Në këto 25 vjet nuk ka qytetar normal që nuk e ka kuptuar se pisllëku i qeverisë së kaluar nuk pastrohet me propagandë, me kundërakuza e kundërsulme, por me detergjentin (reformat) e duhur dhe dobisjellës. Qeveritë që bëjnë punë të vlefshme janë si njerëzit modestë e punëtorë: nuk  mburren me fjalë. Nuk rrahin gjoksin. Nuk poshtërojnë e nuk i tallin kundërshtarët e mundur. Nuk ia hedhin fajin “armikut” të partisë. Por a ka ndodhur ndryshimi i premtuar dhe i shumëpritur? Kjo do të duhej të ishte dilema më rëndësore e kohës. Kjo do të duhej të ishte barra dhe shqetësimi i një qeverie normale. Përdorimi i së njëjtës demagogji (“Ju jeni më të këqij se ne!”) si dhe i të njëjtit “legen” për të larë fytyrën e korrupsionit ka prodhuar harresë kolektive, indiferencë dhe pandëshkueshmëri ligjore, ndaj nuk vlejnë më krahasimet me të kaluarën dhe kritikat për të nëse qeveria nuk jep shembuj konkretë e prova të prekshme se i qëndron detyrimit dhe premtimeve të bëra për të qeverisur më mirë, me “duar të pastra”.
Për fat të keq vazhdon tradita e vjetër: që qeverisje e suksesshme të quhet autopropaganda, vetëmburrjet nëpër ekrane, betejat dhe fushatat me fjalë kundër njëri-tjetrit, me sharje e shpifje, se sa veprat e dobishme që mbeten e lihen pas. Kështu, për 45 vjet Hoxha ia hodhi fajin Zogut; Berisha, Hoxhës; Nanoja, Berishës; Berisha 2, Nanos 2; tash Rama Berishës dhe anasjelltas… Ky është karruseli me të cilin politika e gënjen si një fëmijë popullin e vet nëpër zgjedhje. E jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, ku ka krerë shqiptarë. Asnjë syresh nuk ka gabuar, askush nuk ka bërë faje, nuk ka shkelur, qoftë pa dashje në dërrasë të kalbur nga padia apo mungesa e përvojës, ndaj kurrë, as edhe një i vetëm nga krerët tanë lavdiplotë, edhe kur janë përmbysur me revolta nuk ka kërkuar ndjesë, nuk ka pranuar publikisht jo më fajet, por as gabimet, sepse “sukseset” i takojnë vetës së parë, Njëshit, kurse mëkatet, gabimet, krimet dhe gjynahet “atij tjetrit”…  
Kur erdhi Berisha në pushtet nuk ndëshkoi as klanin e Zemunit, as “mamuthët” e korrupsionit, si premtoi në fushatë; të njëjtën gjë po bën edhe Rama: akuzat për korrupsion të qeverisë së djeshme i përdor vetëm për luftë politike, ndërpartiake, por jo për penalizim, ç’ka është detyrim i çdo qeverie serioze  që përnjëmend “do të bëjë shtet”…
Një arsyetim më i kthjelltë logjik të çon detyrimisht edhe te ky hamendësim: dakord, qeveria e Berishës paska vjedhur e abuzuar ku e ku më shumë “se ne që po qeverisim tani”, ndaj si rrjedhim, “ata të Berishës” janë jo vetëm fajtorë, por edhe përgjegjës për gjendjen… Por, a mund të quhet ky një ngushëllim i mjaftueshëm? E, për më tepër, a vlen slogani “Fajin e ka Saliu” si një ushqim i kënaqshëm propagandistik për qytetarët, për zgjedhësit, makar edhe për militantët e partisë, kur shohin se gjendja pak ka ndryshuar e kur asnjë nga krerët e djeshëm nuk është çuar para drejtësisë? A mund të përdoret, pas dy vjet qeverisjeje, si argument bindës slogani i stërpërsëritur “Fajin e ka Saliu!” për t’u shfajësuar e për të justifikuar për dobësitë, korrupsionin, dështimet dhe mangësitë, përveçse në këtë rast i trash edhe më tepër dyshimet dhe mosbesimin, duke u kthyer në bumerang? Shqipëria është katandisur në një “lagunë” skifterësh me pendë herë blu e herë mavi.
Një mikun tim shqiptar, që jeton prej vitesh në Francë, kur e emëruan në një post të lartë, porosia parësore që i dhanë ishte kjo: Nuk duhet të shash e të përçmosh pararendësin, edhe nëse mendon se ai nuk ka pas drejtuar mirë. Pse? 1. Sepse e djeshmja e tjetrit, edhe nëse ka qenë e dështuar, ka për të të tërhequr pas jo vetëm ty, por edhe ekipin tënd, duke i mbajtur sytë pas… 2. Sepse po të përdorësh dështimin tënd si justifikim, duke u krahasuar me dështimin e pararendësit, ti e mpak përparimin dhe perspektivën. 3. Sepse në ekip do të krijosh një frymë mosbesimi dhe jo motivimi… etj. etj. 
***
Që fajin e kishte Saliu, ai dhe partia e tij, jo një, po dy herë, në dy palë zgjedhje, e morën ndëshkimin politik nga populli. Kështu që politikisht kjo lloj “alibie” e qeverisë së sotme nuk qëndron e nuk ka vlerë. Nuk bind më as edhe zgjedhësin më të mefshtë si “alternativë” rilindjeje “vështrimi prapa”. Jetojmë në 2015-tën dhe jo në 1990 kur thyheshin dyqanet e bukës e kur çdo premtim për “lugën e florinjtë të demokracisë” dukej i mundshëm, ashtu si në 1944-ën kur fajet u ngarkoheshin atyre që ishin përmbysur dhe kur krahasimet bëheshin për 45 vjet rresht, me nivelin e ‘39-ës…
Në vitin 2013 zgjedhësi e bëri ndëshkimin e vet me votë, e tha fjalën e vet. Tani propagandën e ngjizur me “Fajin e ka Saliu” apo “në kohën e Saliut është vjedhur më shumë”, se tenderët dhe firmat për tjetërsim pronash e përvetësim fondesh publike janë hedhur “nga ata të Saliut”, nuk vlejnë; nuk vlejnë se nuk i ha më kurrkush. Logjika më e thjeshtë të shtyn te kjo pyetje: Përse përmenden këto “argumente” të krimit dhe të korrupsionit, të tenderëve dhe të firmave të hedhura për koncesione e privatizime vetëm kur dikush akuzohet vetë? Nuk jemi në fushatë zgjedhore kur partitë dhe kandidatët detyrohen të luajnë me “kush je ti e kush jam unë”. Tani e kanë radhën të zgjedhurit, maxhoranca; shkurt “Rilindja”, e cila ka fituar “verdiktin” nga populli të bëjë ndëshkimin e premtuar për fajet e për fajtorët, të kryejë pastrimin e shoqërisë jo me llafe, por juridikisht, me ligje, me reforma, me vendime, me denoncime e ndëshkime reale. Shembujt e ndëshkimit nuk jepen me ca mësues apo mjekë që kanë marrë ryshfet, apo me berberë që kapen pa kasë, por me ministrat e ish- kryeministrat, që jetojnë si sheikë të “demokracisë”, pa u bërë syri tërr për hallet e për vuajtjet për një copë bukë të shqiptarëve, të cilët po ikin si sirianët në Gjermani.
Nuk ka përse ndëshkueshmëria e premtuar t’i lihet pritshmërisë, ditës kur do të miratohet reforma në drejtësi. Matematikisht kjo do të thotë që zbatimi i reformës, pavarësia e gjyqësorit, rrjedhimisht edhe ndëshkueshmëria e hajdutëve të milionave e të pronave publike do të zbatohet (nëse do të zbatohet…) pas zgjedhjeve të vitit 2017. Kjo do të thotë të legalizosh me “procedurë” hajdutët e mëdhenj të pushtetit në të dyja krahët, sipas parimit “njëra dorë lan tjetrën”.
Kështu, nëse afërsisht 600 milionë eurot e shpërdoruara për mbylljen e arbitrazhit të CEZ-it, për të cilat akuzohet qeveria “Rama”, nuk ka vlerë morale e as juridike kur kundërpërgjigja jepet duke thënë se edhe Basha ka abuzuar me përmbi 200 milionë euro për rrugën e Kombit, se ai ia “shiti detin grekut”, se “dha urdhër për të vrarë më 21 janar”, pasi kjo lloj propagande me hidheprit, e përdorur tradicionalisht, (të gjithë janë njëlloj pis!…) nuk mund justifikojë, as të mbulojë e legjitimojë dhënien e tenderëve, fondeve apo trojeve publike klientëve të sotëm, ashtu si nuk mund të çojë “në drejtim të paditur” skandalin e CEZ-it, të ilaçeve, etj. etj. Fajet dhe dëmet e pandëshkuara të opozitës nuk mund e nuk duhet të shërbejnë si alibi për qeveritarët e sotëm. Ja përse drejtësia tek ne është më së tepri e paralizuar, se e korruptuar.
Kjo lloj “alibie” i ngjan asaj thënies së famshme të deputetit socialist: “Ju keni vjedhur më shumë, por ne do të vjedhim më me lezet”, gjë që, tekefundit ndikon për të bërë pis të dyja palët, duke e rritur mosbesimin popullor në shkallën më të lartë. Në këtë klimë nuk ka ç’bën drejtësia, edhe po të kryhet reforma.
Derisa nuk jepet përgjigje për akuzat e bëra, nëse ato qëndrojnë apo jo, por luhet edhe pas dy vjetësh në pushtet me sloganin “Fajin e ka Saliu!”, duke ringjallur akuzat e vjetra për kundërpeshë, atëherë politika e ka të humbur jo vetëm besimin, por edhe funksionin e vet parësor: të kërkojë e të zbatojë zgjidhjet më të frytshme për shoqërinë. Ja përse ne ecim si breshka. Sepse të gjitha energjitë e politikëbërjes harxhohen për luftë bajlozësh, për akuza me shashka, duke e lënë shoqërinë peng të së kaluarës, të prirur për përmbytje. Duke ia lënë kopilin në derë njëri-tjetrit, jo si vetëm si justifikim, por edhe si mjet sigurie për vetëmbrojtje, të gjithë fajtorët, si të djeshmit e të sotmit qëllimisht na nxjerrin në të njëjtin shteg: që ne zgjedhësit të bindemi se krerët tanë, të  të dyja krahëve, nuk kanë ndonjë dallim mes vedi; se nuk janë aq të pastër, të devotshëm e të ndershëm sa të kërkojnë drejtësi, ndëshkimin e fajtorëve, kushdo qofshin ata: ish-kryeministra, ministra, kryetarë partish apo deputetë, ngaqë kanë frikë për veten… Kanë frikë mos “lagunat” e tyre kthehen nga oaze mirëqenieje në ndëshkim të merituar.
Prandaj votimi për ta nuk ka sjellë vlerën e ndryshimit. Ja përse nuk e bëjnë pastrimin real të politikës, të Kuvendit dhe të shoqërisë: që të mbeten sa më gjatë e të paprekur në pushtet. Ndaj fabrikohen përditë vetëm fjalë, fjalë, fjalë, retorikë, shpotira, tallje, qesëndisje, demagogji dhe propagandë-silazh për buajt ripërtypës, të cilët nuk dinë të dallojnë kasapin nga veterineri…

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: