EGJIPT

Autoritetet egjiptiane thonë se forcat e sigurisë vranë 40 militantë të dyshuar në tre operacione që u zhvilluan paralelisht në Giza dhe në Sinain Verior. Aksionet e policisë u kryen një ditë pasi tre turistë vietnamezë dhe guida e tyre egjiptiane u vranë në Giza nga një bombë e vendosur në autobuzin e tyre. Ministria e brendshme egjiptiane nuk konfirmoi nëse militantët e vrarë sot kanë lidhje me sulmin ndaj autobuzit.

Autobuzi po udhëtonte në zonën Marioutiyah kur shpërtheu një bombë artizanale e fshehur pas një muri.

“Po kthehesha nga puna me një furgon, kur dëgjuam një zhurmë të madhe dhe menduam mos kishte rënë ndonjë makinë nga ura. Pas kësaj pamë njerëzit dhe shoferët e taksive që vraponin duke thënë se ishte goditur një autobuz”, thotë Ali Fekri, dëshmitar okulars, shkruan VOA.

Ndër të plagosurit ishin 10 turistë vietnamezë dhe shoferi egjiptian i autobuzit. Në autobuz gjendeshin gjithsej 14 turistë vietnamezë dhe vetëm 2 prej tyre nuk u dëmtuan.

Ky është sulmi i parë kundër turistëve të huaj në pothuajse dy vjet.

Sulmi vjen ndërsa industria jetësore e turizmit egjiptian po jep shenja përmirësimi, pas vitesh rënieje për shkak të trazirave politike dhe dhunës që pasoi rebelimin e vitit 2011 dhe rënien e ish-udhëheqësit Hosni Mubarak.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb