Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra zëvendës ministren serbe të Drejtësisë Vesna Mikiç.

Haradinaj ka bërë publik lajmin për shkarkimin e Mikiç, ndërsa shprehet se persona të tillë, që bëjnë deklarata kundër Kosovës dhe nuk i shërbejnë anëtarësimit euro-atlantik të shtetit të Kosovës, nuk mund të jenë zyrtarë, aq më tepër të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiç, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiç”, tha Haradinaj.

(D.Xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb