Gjykata e Lezhës ka dhënë sot masën e sigurisë për motër e vëlla, Amelda Elezi 21-vjeç dhe Armand Lukani 23-vjeç nga Vlora, të cilët u kapën me tre bomba me telekomandë tre ditë më parë në Lezhë.

Gjykata ka vendosur sot të lërë në burg vëllain me akuzën ‘Mbajtje pa leje të armëve shpërthyese’ dhe të lërë të lirë nën masën ‘arrest shtëpie” motrën e tij.

Ndërkohë, familjarët e tyre të pranishëm në sallën e gjyqit kanë deklaruar se vëlla e motër nuk kanë lidhje me bombat me telekomandë dhe se jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

Njoftimi i policisë per arrestimin e te rinjve

Goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të minave me telekomandë. Finalizohet operacioni “The long way”, i ndjekur me metoda proaktive. Sekuestrohen 3 mina të montuara me telekomandë të shpërthimit në distancë, 2.3 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë si dhe 1 telefon celular. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kerkim.

Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e veprimtarive të kundraligjshme, duke vendosur përpara përgjegjësisë ligjore autorët e dyshuar, nga Sektori për hetimin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, falë një pune profesionale të mirëorganizuar, të ndjekur me metoda proaktive, u finalizua me sukses operacioni i koduar “The long way”, duke goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të minave me telekomandë. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:– A.L. 23 vjeç, banues në Vlorë. – A. E. 21 vjeçe, banuese në Vlorë.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.E., 27 vjeç, banues në Vlorë (i dënuar më parë). Shtetasit e mësipërm u arrestuan në flagrancë në qytetin e Lezhës, pasi nga kontrolli në çantat e tyre u gjetën të fshehura 3 mina me shpërthim të telekomanduar nëpërmjet celularit, si dhe një sasi prej 2.3 kg lënde narkotike e dyshuar marijuanë.

Materialet procedurale në ngarkim të tyre u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 282/a/2 dhe 283/2 të Kodit Penal.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb