Historinë në sport nuk e kanë bërë vetëm kampionët e mëdhenj, por edhe talente, individë të spikatur, lojtarë të një klubi modest, jo të elitës, por me kontribut e shumë popullorë duke entuziazmuar një qytet në një të diel, ku futbolli ishte i vetmi argëtim.
Një grup me futbollistë klasikë të kësaj kategorie, lojtarë të fortë, krijues, organizatorë, sulmues, shpirti i skuadrës, shënues, duke ndezur një tifozëri dhe një qytet që jetonte me golat e tyre, lider në fushë e jashtë saj. Por për një arsye apo tjetër mund t’u ketë munguar fama, jehona, janë lënë në harresë, e pak është folur për ta. Jo në objektiv, jo në qendër të vëmendjes, jo të trajtuar, preferuar, të anashkaluar nga klubet e mëdha, opinioni, shtypi, publiciteti i kohës, edhe pse kanë qenë protagonistë absolutë të kampionateve kombëtare, por vetëm nga fakti se luanin me një skuadër të thjeshtë, pa pretendime, e konsideruar “e dorës së dytë”. Ku janë sot, çfarë bëjnë këta futbollistë? Të befasojnë kur i takon në qytetin ku banojnë, ulesh pi një kafe me ta, sheh që nuk kanë ndryshuar, gjithmonë të rrethuar nga admirues. Aty e kupton se nga ai komunitet nuk janë harruar. Ka shumë nostalgji për ta, pasi kanë lënë gjurmë dhe kanë shkruar një histori të çmuar për qytetin, klubin e tyre, emblema të fanellave, ngjyrave që ata mbajtën e u shërbyen në vite. Jo vetëm futbollistë virtuozë, por ambasadorë të vërtetë për qytetin e skuadrën, kanë qenë e mbeten edhe sot. Edhe pse ka kaluar shumë kohë.
NEVRUZ DUÇKA – Labinoti (Elbasan) Fitues i Kupës së Shqipërisë me Labinotin e Elbasanit, në sezonin 1973-1974, në krah të legjendave Mihal Gjika, Fred Jorgaqi, Bashkim Rudi, Namik Hysi, etj. I zbuluar nga mjeshtri Shefqet Lamçe, me nuhatje goleadori, është një ndër shënuesit e dalluar të asaj periudhe dhe të historisë së klubit elbasanas. “Nokja”, i fortë si një “trung”, kështu e kanë vlerësuar. Fjalëpakë e punëshumë, një qytet priste dhe jetonte me golat e tij. Tejet i rrezikshëm në zonë, i shpejtë, befasues në manovrime, goditje. Me numrin 7, i respektuar nga të gjithë, mbrojtës, arbitra, i dashur nga spektatori. I marrë nga trajneri Loro Boriçi vetëm një herë në Shqipëri-Turqi 3-0, nëntor ‘71, duke zëvendësuar në pjesën e dytë Leshtenin. Ka disa vite që nuk jeton. Panorama Sport