VALENTINA MADANI/ Deputetja e PD-së Jorida Tabaku kritikon qeverinë për ndërtimin e një filozofie që pasuron një pakicë të privilegjuar dhe lë shumicën të përballet me sfida të përditshme ekonomike.

Tabaku i referohet buxhetit të shtetit, të sapo miratuar në Kuvend, sipas së cilës ka shumë problem. Ajo thotë për gazeta “Panorama” se ky buxhet nuk përmban një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të zakonshëm.

Jorida Tabaku flet për sektorë të rëndësishëm si shëndetësia dhe arsimi si të nënfinancuara ndërsa një tjetër problem madhor është kriza e pensioneve. Sipas Tabakut, skema aktuale është në prag kolapsi pasi qeveria në vend që të adresojë këtë situatë me reforma të thella, ka zgjedhur të ofrojë bonuse simbolike. Të cilat sipas saj janë më shumë një lëmoshë elektorale sesa një zgjidhje e qëndrueshme. Jorida Tabaku tregon zgjidhjen që ofron PD-ja sapo të vijë në pushtet…

Znj.Tabaku, Parlamenti pas dy javëve debat miratoi buxhetin e 12-të socialist. Çfarë reflekton ku buxhet?

Buxheti i 12-të i socialistëve është një reflektim i një modeli qeverisës që ka dështuar sistematikisht të ofrojë zgjidhje për problemet thelbësore të vendit. Për më shumë se një dekadë, qeverisja socialiste ka ndërtuar një filozofi që pasuron një pakicë të privilegjuar dhe lë shumicën të përballet me sfida të përditshme ekonomike. Ky buxhet nuk përmban një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të zakonshëm.

Shëndetësia dhe arsimi, dy shtyllat kryesore për zhvillimin e një shoqërie të drejtë, vazhdojnë të jenë të nënfinancuara. Vetëm 2.9% e PBB-së është alokuar për shëndetësinë dhe 2.29% për arsimin, duke e bërë Shqipërinë vendin me financimet më të ulëta në këto sektorë në rajon. Si pasojë, qytetarët paguajnë pothuajse gjysmën e shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre, ndërsa arsimi ka regjistruar rënien më të madhe globale sipas raportit PISA. Rrjedhimisht, shqiptarët janë të mbingarkuar me shpenzime, të cilat qeveria duhet t’i mbulonte.

Një tjetër problem madhor është kriza e pensioneve. Skema aktuale është në prag kolapsi, ku pensionet minimale janë ulur realisht që nga viti 2015. Ndërkohë, fuqia blerëse e pensionistëve ka rënë me 16%, duke i lënë ata në mëshirën e inflacionit dhe rritjes galopante të çmimeve. Në vend që të adresojë këtë situatë me reforma të thella, qeveria ka zgjedhur të ofrojë bonuse simbolike, të cilat janë më shumë një lëmoshë elektorale sesa një zgjidhje e qëndrueshme.

PPP-të dhe koncesionet, ndërkohë, vijojnë të përthithin pjesën më të madhe të buxhetit. Është alarmante që 53% e fondeve të shëndetësisë shkojnë për kontrata të dyshimta dhe projekte të fryra, ndërkohë që qytetarët vuajnë nga shërbime të pamjaftueshme. Rrugët e ndërtuara nga fondet qeveritare kushtojnë dyfishin e atyre të financuara nga BE, një fakt që ngre pikëpyetje serioze për transparencën dhe efikasitetin e këtyre projekteve. Ky buxhet nuk i shërben shumicës. Ai është një buxhet që pasuron oligarkët dhe penalizon shtresën e mesme, të moshuarit dhe të rinjtë. Shqipëria meriton një drejtim tjetër, të mbështetur në barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri Rama gjatë prezantimit të buxhetit 2025 u premtoi pensionistëve që do të kenë bonus në fund të dhjetorit 2024 dhe në pranverën e vitit 2025. A e zgjidh kjo situatën e pensioneve?

Bonuset nuk janë dhe nuk mund të jenë një zgjidhje për problemet strukturore të skemës së pensioneve. Ato janë një masë propagandistike që synon të blejë kohë dhe të manipulojë një prej shtresave më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët. Sot, një pensionist mesatar merr 18,300 lekë, ndërsa pensioni minimal është vetëm 15,500 lekë. Këto shifra janë katastrofale në një ekonomi ku inflacioni dhe çmimet e ushqimeve janë rritur me mbi 55% që nga viti 2014. Shqipëria sot është një nga vendet me pensionet më të ulëta në rajon.

Ndërsa në Mal të Zi pensioni mesatar është 450 euro dhe në Maqedoninë e Veriut 460 euro, pensionistët shqiptarë mbijetojnë me të ardhura që nuk mbulojnë as nevojat më bazike. Për më tepër, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 91% e mesatares së BE-së, ndërsa fuqia blerëse është shumë më e ulët. Në këtë situatë, premtimi i bonuseve është një tallje ndaj dinjitetit të pensionistëve dhe një përpjekje e dështuar për të mbuluar dështimet e reformës së vitit 2015, që ka përkeqësuar më tej gjendjen e tyre.

Nëse kjo nuk e zgjidh problemin e pensioneve, për cilën arsye kryeministri Rama ua premtoi atë pensionistëve?

Premtimi për bonuse është një akt i pastër elektoral dhe një taktikë e njohur e kryeministrit Rama për të shmangur përgjegjësinë mbi dështimet e tij. Pensionistët janë një shtresë e ndjeshme dhe shpesh më e prekur nga premtimet boshe, ndaj qeveria i sheh ata si një terren të lehtë për manipulim. Në vend që të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për sistemin e pensioneve, qeveria përqendrohet në masa të përkohshme që nuk kanë asnjë ndikim real në përmirësimin e jetës së përditshme të kësaj shtrese.

Ju keni ngritur shqetësimin në lidhje me pensionet. Në videot e fundjavës keni folur disa herë për këtë çështje. A ka PD një plan për ta zgjidhur këtë situatë?

PD ka një vizion të qartë për reformimin e skemës së pensioneve dhe adresimin e problemeve të saj strukturore. Ky plan bazohet në tri shtylla kryesore:

Së pari, ne do të zgjerojmë bazën e kontribuesve përmes formalizimit të ekonomisë dhe mbështetjes për sektorët kyç si bujqësia dhe vetëpunësimi. Sot, 80% e fermerëve janë jashtë skemave të sigurimeve, një fakt që jo vetëm dëmton skemën, por i lë ata pa asnjë garanci sociale për të ardhmen.

Së dyti, ne do të ridrejtojmë fondet nga PPP-të dhe koncesionet e fryra drejt një rritjeje reale dhe të qëndrueshme të pensioneve. Nuk ka asnjë arsye që miliona euro të shkojnë për projekte të dyshimta kur pensionistët jetojnë në varfëri.

Së treti, ne do të promovojmë skema private, duke krijuar stimuj për kursimet afatgjata dhe duke ulur presionin mbi skemën publike.

Përpos pensioneve, çfarë problemesh të tjera ka buxheti 2025?

Buxheti 2025 është një shembull i qartë i prioritetit të qeverisë për të mbështetur monopolin dhe varfërinë. Politikat fiskale vazhdojnë të rëndojnë mbi shtresën e mesme dhe bizneset e vogla, ndërsa një grusht oligarkësh përfitojnë nga përjashtimet fiskale dhe incentivat speciale. Investimet në arsim dhe shëndetësi janë të pamjaftueshme, ndërsa bujqësia, një sektor me potencial të madh për zhvillimin e vendit, mbetet e lënë pas dore.

Ju keni mbrojtur profesionistët e lirë në një betejë, të cilët i nxorët të fituar. Pas fitores në Gjykatën Kushtetuese dhe dorëzimit të qeverisë për kthimin e parave profesionistëve të lirë, si e gjykoni mungesën e një pakete fiskale për vitin e ardhshëm?

Fitorja për profesionistët e lirë është një arritje e rëndësishme për Partinë Demokratike, një dëshmi e forcës së opozitës për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të kërkuar drejtësi kur qeveria është në anën e gabuar. Megjithatë, mungesa e një pakete fiskale për vitin e ardhshëm tregon se qeveria vazhdon të jetë pa një plan të qëndrueshëm për të mbështetur sipërmarrësit dhe profesionistët e lirë.

Pavarësisht fitoreve ligjore, mungesa e një pakete që ndihmon bizneset e vogla dhe sektorin privat tregon paaftësinë e qeverisë për të ndërmarrë reforma që ndihmojnë ekonominë reale. Shqipëria ka nevojë për një strategji fiskale tërësore që ul taksat dhe mbështet klasën e mesme, duke stimuluar sipërmarrjen dhe krijimin e mundësive të reja pune.

Në Komisionin e Çështjeve Europiane keni ngritur shqetësimin për përjashtime fiskale që janë në kundërshti me rekomandimet e BE. Çfarë sjellin këto në buxhetin e shtetit?

Përjashtimet fiskale janë një nga praktikat më të dëmshme që dëmtojnë të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe krijojnë një sistem ekonomik të padrejtë. Ato favorizojnë një grusht të pasurish dhe penalizojnë shumicën e qytetarëve. Mungesa e transparencës në mënyrën se si këto përjashtime aplikohet për bizneset e mëdha dhe oligarkët është një sfidë serioze që kërkon adresim të menjëhershëm. Në vend që përjashtimet të shërbejnë për të mbështetur sektorët që kanë nevojë, si bujqësia dhe industria, ato përfundojnë duke përfituar ata që janë më të fuqishmit në shoqëri, si jahtet luksoze dhe hotelet e mëdha, që janë larg nevojave të shumicës së shqiptarëve. Kjo qasje është në kundërshtim të plotë me rregullat dhe normat europiane, duke e penguar integrimin e vërtetë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria ka dyfishuar GDP-në dhe GDP për frymë. Cilat janë arsyet e kundërshtisë tuaj për ecurinë ekonomike të vendit? Ekonomia po rritet me GDP por pse qytetarët shqiptarë përballen me çmime që janë rritur deri në 60% për produktet bazike, ndërkohë që të ardhurat reale kanë mbetur të ulëta?

Paga mesatare e shqiptarëve ka pasur një rritje nominale prej 22% që nga viti 2014, por kjo është më e ulët se rritja e çmimeve, duke bërë që fuqia blerëse të mbetet në nivele të ulëta. Përveç kësaj, ky “dyfishim” i GDP-së ka përfituar kryesisht një pakicë të lidhur me qeverinë, ndërsa shumica e qytetarëve po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Shqiptarët paguajnë çmime europiane për ushqimet, ndërkohë që pagat dhe pensionet mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe Europë. Ky “dyfishim” i GDP-së është një pasqyrë e pasuksesshme e rritjes ekonomike, e cila nuk ka pasur një ndikim real në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kur ju propagandoni ulje taksash, a nuk është kjo një politikë që i shërben më të pasurve në kurriz të 95% të shqiptarëve?

Politika e uljes së taksave është një nga mënyrat për të stimuluar ekonominë dhe për të mbështetur ata që janë më të prekur nga taksat e larta. Në vend që të mbështesim një sistem taksimi regresiv, ne propozojmë uljen e taksave për shtresën e mesme dhe bizneset e vogla, të cilat janë motorët e vërtetë të zhvillimit ekonomik. Shumica e shqiptarëve kanë nevojë për një lehtësim të barrës fiskale, dhe ulja e taksave do të nxisë rritjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja pune. Ne nuk synojmë të përfitoni për pasuritë e mëdha, por të krijojmë një mjedis të barabartë dhe të ndershëm që u shërben të gjithë qytetarëve, duke siguruar që ata që kontribuojnë më shumë në ekonomi të kenë mundësi të përfitojnë më shumë./Gazeta Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb