TIRANË-Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi të dielën se akset rrugore kombëtare janë të kalueshme, por në disa prej tyre për qarkullimin e mjeteve është e domosdoshme pajisja me zinxhirë. Por reshjet e vazhdueshme të borës kanë sjellë gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes përkeqësimin e situatës, ndërkohë që nga raportimet në terren, mësohet se disa rrugë kombëtare dhe rurale janë bllokuar. Në Qafë-Thanë disa automjete mbetën të bllokuara për orë të tëra, po ashtu edhe në Dibër dhe në Dajt. Drejt pikave problematike ku ndodhen të bllokuar automjete dhe njerëz kanë shkuar forca të shumta policie. Gjithashtu gjatë orëve të mbrëmjes Policia e Shtetit njoftoi për bllokimin e disa rrugëve dhe marrjen e masave të menjëhershme.

ARRSH: DREJTUESIT TË PËRDORIN ZINXHIRËT

Ora 21:25– Autoriteti Rrugor Shqiptar ka këshilluar drejtuesit e automjeteve të përdorin zinxhirë në akset me borë. Kjo pasi përveç bllokimit të tyre, mjetet pa zinxhir bëhen pengesë edhe për lëvizjen e automjeteve të tjera.

“Qytetarët të përdorin zinxhirë në akset me borë. Përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm. Mjetet pa zinxhirë krijojnë probleme dhe sjellin bllokim të trafikut”, thuhet në deklaratën e ARRSH.

Moti i keq, Policia: 30 automjete të bllokuara në Dajt, jemi në gatishmëri

TIRANË- Policia e Shtetit ka njoftuar pasditen e sotme për bllokimin e disa pikave dhe akseve rrugore si pasojë e motit të keq, ndërsa ka pohuar se ndodhet në gatishmëri për përballimin e situatës.

Nga të dhënat e policisë mësohet se në Qafë-Mollë, në Dajt është bllokuar rruga dhe kanë mbetur të bllokuara rreth 30 automjete, ndërsa në automjete ka gra dhe fëmijë.

Po kështu aksi rrugor Përrenjas-Qafë Thanë-Pogradec është i bllokuar nga bora. Vështirësi qarkullimi ka edhe në rrugën e Kombit, ku qarkullimi vijon me zinxhirë dhe aktualisht ka reshje te dendura të dëborës.

Ora 19:53- NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të komunikimeve për situatën e rrugëve si pasojë e motit të keq  ju informojmë se:

Është bllokuar nga dëbora rruga e Dajtit në vendin e quajtur “Qafë Mollë”, ku kanë mbetur të bllokuara rreth 30 automjete. Për t’ju ardhur në ndihmë , në drejtim të tyre aktualisht  janë nisur shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr 4, dhe një grup i FNSH-së, pasi ka edhe fëmijë të vegjël në automjete. Patrulla e Policisë Rrugore me një automjet Fuoristradë të policisë po bën evakuimin e fëmijëve dhe të grave të bllokuara nga bora  dhe aktualisht po shkon dhe fadroma për hapjen e rrugës.

Po si pasojë e motit të keq aksi rrugor Përrenjas-Qafë Thanë-Pogradec  është i bllokuar nga bora. Në këtë aks ka automjete të bllokuara , ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forcat e policisë rrugore dhe të rendit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe Korçë  për t’i ndihmuar. Në drejtim të Qafë-Thanës janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato Speciale për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar  dhe për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi.

Njëkohësisht aksi rrugor Tepelenë–Gjirokastër në vendin e quajtur Uji i Ftohët ka rrëshqitje dheu dhe është vështirësuar qarkullimi i automjeteve. Dy patrulla të Qarkullimit Rrugor dhe dhe dy patrulla të Përgjithshme ndodhen në vendin ku ka rrëshqitje dheu, për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve.

Gjithashtu në aksin rrugor Levan-Fier, në një segment rreth 100 metra ka dalje të ujit në asfalt ku është vështirësuar lëvizja e automjeteve. Patrulla të Qarkullimit Rrugor janë në këtë segment duke orientuar dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve. Vështirësi qarkullimi ka edhe në rrugën e Kombit, ku qarkullimi vijon me zinxhirë dhe aktualisht ka reshje te dendura të dëborës. Në qarkun Dibër qarkullimi vijon me zinxhirë, ndërsa në zonën e Gollobordës rruga është e bllokuar. Bllokime rrugësh nga bora ka edhe ne akset rurale e në zonat e thella malore.

Patrullat e Qarkullimit Rrugor  po asistojnë në të gjitha veprimet që po kryhen, duke bashkërenduar dhe bashkëvepruar me Drejtoritë e Rrugëve dhe Emergjencat Civile. Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të plotë dhe në të gjitha akset rrugore ka shtuar Patrullat e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë atyre drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të lëvizin në aksin rrugor Elbasan- Korçë , të mos qarkullojnë pasi rruga është e bllokuar nga dëbora dhe qarkullimi nuk do lejohet as me zinxhirë deri në zhbllokimin e plotë të këtij aksi. Njëkohësisht të gjithë drejtuesit e automjeteve që do qarkullojnë në akset rrugore të lartpërmendura duhet të jenë të pajisur detyrimisht me zinxhirë.

Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për të zbatuar kërkesat ligjore, të bashkëpunojnë me patrullat e saj në territor për të bërë të mundur evitimin e bllokimeve dhe normalizimin e situatës me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale.

Ora 19:00- Rëndohet situata në rrugën e Kombit gjatë orëve të mbrëmjes. Reshjet e dendura të dëborës kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin, megjithëse borëpastrueset po punojnë vazhdimisht. Aksi Kukës-Kalimash- Morinë është i kalueshëm me vështirësi dhe zinxhirë.

Deri tani nuk janë raportuar aksidente me pasoja në njerëz. Përgjatë aksit nacional janë shtuar forcat e policisë ku 5 patrulla të policisë rrugore Kukës, të mbështetur edhe nga trupat speciale të FNSH-së Shkodër, kanë kaluar në shërbim të përforcuar për të monitoruar trafikun dhe për të ndihmuar në çdo rast drejtuesit e automjeteve të cilët mund të gjenden në vështirësi.

Ndërkohë në zonat e thella malore reshjet vijojnë ndërsa raportohet se komunat Arrën, Zapod dhe disa fshatra të komunave Lekbibaj, Grykëçaj, Kalis të jenë bllokuar. Nuk raportohet për raste emergjencash shëndetësore apo ndërprerje të energjisë.

Ora 18:50- Bëhet e ditur se rreth 40 makina në Qafë-Priskë janë të bllokuar nga bora. Po kështu mësohet se prej 3 orësh në aksin Peshkopi-Maqellarë, ndodhen të bllokuara dhjetëra mjete.

Ndërkohë pas apelit në News24, drejt Qafë-Thanës janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe Forcat Speciale nga Tirana, të cilat do të ndihmojnë personat e bllokuar.

Dhjetëra qytetarë të bllokuar në Qafë-Thanë telefonuan në News24 për të kërkuar ndihmë.

Për shkak të dëborës, bëhet e ditur se në Korçë nga fshati Çërravë deri në Sovjan, rruga është e pakalueshme. Raportohet se nuk ka ndërhyrje nga borëpastrueset.

Qafë-Thanë, dhjetëra qytetarë të bllokuar nga bora, mes tyre një grua me fëmijë të porsalindur

LIBRAZHD- Moti i keq ka sjellë bllokimin e Qafë-Thanës nga bora, ndërsa dhjetëra qytetarë kanë telefonuar në Neës24 për ndihmë. Ata kanë bërë të ditur se mes personave të bllokuar ka gra dhe fëmijë, ndërsa është krijuar një radhë me automjete.

Ndërkohë mes personave të bllokuar ndodhet edhe një grua me një fëmijë të porsalindur. Sipas raportimeve Qafë-Thana është bllokuar prej 2 orësh. Edhe në Peshkopi mësohet se ka rrugë të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Qytetarët kanë treguar për News24 se ende nuk ka asnjë mjet për pastrimin e rrugëve.

“Policia Rrugore tërheq vemendjen për drejtuesit e mjeteve për të rritur kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjithë akset rrugore të vendit, të cilat janë në një mot të keq me rreshje të vazhdueshme shiu dhe dëbore”.

MB: Deri në orën 14:00 situata e kalushmërisë së akseve rrugore paraqitej si më poshtë;

KUKËS – Në zonën e Kukësit orët e fundit janë shtuar dhe dëndësuar rreshjet e dëborës, megjithatë rrugët janë të kalueshme të gjitha. Rruga Kombit është e kalueshme me zinxhirë. Nga tuneli i Thirrës në drejtim te Kukësit ka reshje bore dhe shiu, por pa problem serioze per bllokim të qarkullimit e mjeteve. Trashësia borës në rrugë 10 cm. 6 borëpastrueset dhe Policia Rrugore në keto akse në gadìshmeri të plotë për të monitoruar trafikun dhe për të ndihmuar në çdo rast drejtuesit e mjeteve në vështirësi.

DIBËR – Në qarkun e Dibrës orët e fundit janë shtuar dhe dëndësuar rreshjet e dëborës, ndërsa akset rrugore jane të kalueshme me zinxhirë. Aksi Skuraj-Qafë Buall nuk ka probleme, bie vetëm shi. Me vështiresi kalohet rruga për Kalanë e Dodës e zonën e Gollobordës. Borëpastrueset janë në gatishmëri në aksin Bulqizë – Vasije.

MIRDITË – Në zonën e Mirditës rrugët janë të kalueshme të gjitha. Rruga Kombit është e kalueshme, nga Fani e lart ka reshje borë dhe shiu, por pa problem për qarkullimin e mjeteve. Trashësia e dëborës në rrugë është 8 cm. Borëpastrueset dhe Policia Rrugore në aks janë në gadishmeri të plotë.

PUKË – Në zonën e Pukës orët e fundit janë shtuar dhe dëndësuar rreshjet e dëborës. Në Qafë Mali kalohet me zixhirë. Janë në gadishmëri 6 borëpastruese. Shërbimet e Policisë Rrugore janë në rrugë dhe nuk lejojnë mjetet pa zinxhirë në këtë aks rrugor;

KORÇË – Në gjithë akset rrugore të qarkut Korcë nuk ka probleme për kalushmerinë e mjeteve. Akoma nuk kanë filluar reshjet e dëborës. Janë marë masat me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve dhe janë në pritje borëpastruset në Qafë-Thanë, Pllocë e Kapshticë, ku ka rreshje dëbore aktualisht.

VLORË – Në Qarkun e Vlorës nuk ka vështirësi. Në Qafë Llogara dhe në Qafë Muzinë ka rreshje dëbore jo të konsiderueshme. Janë në gadishmëri 2 borëpastruese dhe ka patrulla të Policisë Rrugore gjatë të gjithë zonave problematike.

 

(d.b/m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: