GJIROKASTER

Dëbora e rënë mbrëmjen e kaluar në pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë edhe zonat e ulëta ka shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Dëbora ka mbuluar Gjirokastrën, Korçën, Elbasanin, Dibren, Shkodren si dhe qytete të tjera të vendit. Në Gjirokastër, Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi për ditën e sotme në të gjitha shkollat.

SHKODER E LEZHE

Edhe në Shkoder dhe Lezhë është pezulluar mësimi në disa shkolla si pasojë e reshjeve të borës dhe vështirësimit në qarkullim.

GJIROKASTER

Gazetarja Brikena Metaj raporton se rreth 20 cm reshje dëbore kanë mbuluar sërish qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat. Reshjet e borës që nisën mesnatën e mbrëmshme kanë qenë intensive gjatë gjithë natës dhe po kështu edhe ne ketë moment, duke vështirësuar qarkullimin në qytet dhe në akset nacionale. Rreth orës 3 të mëngjesit aksi drejt Kakavijës përshkohej me vështirësi dhe pati shumë bllokime dhe rrëshqitje të mjeteve në rrugë. Aktualisht akset kombëtare nuk janë të kalueshme për mjete të vogla, por vetëm me goma dimërore dhe me zinxhirë. Edhe në rrugën e për në qafën e Muzinës drejt Sarandës duhen përdorur zinxhirë. Të bllokuara janë zonat e Zagorisë e Pogonit, disa fshatra në Cepo dhe komuna Kurvelesh në Tepelenë ku trashësia e bores shkon në 40- 50 cm.

Bllokime ka patur gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit edhe në aksin Tepelenë – Gjirokastër. Në qytet qarkullimi i mjeteve është pothuajse i pamundur për momentin, por po punohet nga bashkia për hapjen e rrugëve kryesore. Në shumë lagje ngricat kanë çarë ose bllokuar tubacionet e ujit të pijshëm dhe mungesa e ujit është prezente. Vështirësitë më të mëdha janë për lagjet e sipërme ku sasia e borës është më e madhe. Ngrohja e munguar në shkolla ka bërë që pjesëmarrja sot të mos i kalojë 20%. Për këtë arsye Drejtoria arsimore ka vendosur pezullimin e mësimit në shkolla dhe zëvendësimin e saj në ditët e ardhshme. Situata paraqitet e njëjtë edhe në rrethet e tjera të qarkut. Gjithë territori i bashkisë Përmet është mbuluar nga bora. Trashësia e dëborës varion nga 10 cm në lugine deri në 20 cm në njësinë  Administrative Frasher. Rruga nacionale Kelcyre -Permet Tri Urat është e kalueshme vetëm me zinxhirë për momentin. Rruget rurale ne njësinë administrative Carcove, Petran, Frasher janë të bllokuara.

Mjetet e renda të bashkisë po punojnë për hapjen e rrugëve të qytetit. Mesimi në shkollat e qytetit të Përmetit ka nisur normalisht, pavarësisht orëve të shkurtuara dhe pjesëmarrjes së ulët, ndërsa ne Carshove, Frasher, Petran është ndërprerë për shkak të bllokimit të rrugëve. Nuk ka raportime për probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë Rruga nacionale Kelcyre -Ura e Leklit është e kalueshme vetëm me zinxhirë, po kështu dhe rruga Kelcyre -Ballaban Mesimi është ndërprerë ne te gjitha shkollat e bashkisë Këlcyrë për shkak te bllokimit te rrugëve Në fshatin Ballaban është ndërprerë furnizimi me ujë për shkak te ngrirjes se tubacionit. Po punohet për pastrimin e rrugëve te qytetit.

KORCE

Sakaq, e njëjta situatë paraqitet edhe në Korçë. Gazetarja Lodrena Kodra raporton për ‘BalkanWeb’ se në qytet trashësia e dëborës llogaritet nga 10-20 cm dhe temperaturat janë shumë herë më të ulëta dhe reshjet e borës janë më të dendura.

Akset si Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë, Korçë-Pustec dhe Qafë e Qarrit janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndërkohë rruga nacionale është e kalueshme por në disa segmente lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë. Fshatrat në zonën e Mokrës, Kolonjë, në Maliq reshjet e borës janë më të dendura dhe më të rrezikuara për t’u izoluar.

Po ashtu mësohet se shkollat vijojnë me orë të reduktuara, ndërkohë që sot mësimi ka nisur në orën 9, situatë që parashikohet të vijohet deri në fundjavë. Ndërsa shkolla e Sheqerasit apo Ormanit, mësimi është pezulluar për shkak të motit dhe reshjeve të dendura të borës.

ELBASAN

Në qarkun e Elbasanit vështirësi paraqitet në aksin Përrenjas-Qafë Thanë, ku këshillohet vendosja e zinxhirëve. Për shkak të bllokimit të disa rrugëve, mësohet se mësimi është pezulluar në 7 shkolla të zonave të thella (Qafë, Guri I zi, Sericë, Qarret, Labinot Katund, Mollagjesh, Shilbater)

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

GRAMSH

I gjithë rrethi i Gramshit është zgjuar mëngjesin e sotëm nën ‘pushtetin’ e dëborës ku trashësia e saj arriti deri në 10 cm.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, punonjësit e bashkisë u angazhuan për të hedhur në rrugë kripë, ndërkohë që në dispozicion është vendosur edhe një zjarrfikëse. Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton për ‘BalkanWeb’ se aksi nga Gramshi drejt Elbasanit aktualisht është i hapur, ndërkohë që probleme paraqiten në zonat malore. Në këto zona qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë, ndërsa mësimi është pezulluar mësimi në dy qendra administrative si Kukur dhe Lenie.

BULQIZË

Rreshje të dendura dëbore në gjith teritorin e Dibrës.Trashësia e dëbores arin ne 35-40 cm në disa zona si Selishte, Lura, Sllova,Kala e Dodës dhe në disa fshatra të Melanit. Gazetari Enver Doçi raporton për ‘BalkanWeb’ se në qytetin e Peshkopisë trashësia e borës arrin në 15 cm. Akset nacionale,Peshkopi-Tiranë,Peshkopi -Kukës dhe Ura e Çerenecit Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë, rugët rurale që lidhin Peshkopinë me njësite administrative janë pjesërisht funksionale. Ndërkohë, Lura Selishta dhe një pjese e madhe e fshatrave të Melanit janë të bllokuara. Po ashtu mësohet se si pasojë ereshjeve të borës nuk është zhvilluar mësim në shkollën 9-vjeçare të Bellovës. Në këtë shkollë të bashkuar mësojnë rreth 120 nxënës të 4 fshatrave Bellovë, Rabdisht, Zagrad dhe Cerjan.
Rreth 115 familje në Ternovën e Madhe dhe në Ternovën e vogël, prej 8 ditesh janë të bllokuar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

BERAT

Në qarkun e Beratit kemi disa problematika në lidhje me furnizimin e energjisë e elektrike,për shkak të dëborës dhe erërave të forta.  Në Berat janë pa energji elektike që prej orëve të mëngjesit fshatrat:  Kostren (Kostren i vogël dhe Kostren i madh),Velçan dhe Osmënzezë.

Në Skrapar vijojnë të jenë pa energji elektrike fshatrat: Zhepë,Guraz,Çorotac dhe Cëricë,ku banojnë rreth 50 familje. Shkak për mungesën e energjisë në këto fshatra është bërë bllokimi i rrugës nga dëbora që pengon kalimin e mjeteve dhe punonjësve të elektrikut për riparimin e defektit në fiderat e dëmtuar në këto katër fshatra.

(d.d/ed.me/j.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb