Trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin, foli pas ndeshjes për “Panorama Sport”, ku i bëri analizën skuadrës që drejton. Ndonëse verdheblutë barazuan në fund, sipas tij, një gjë e tillë duhet të kishte ardhur më herët, duke parë rastet e krijuara.

“Barazimi erdhi vetëm në fund, por duhet shënonim kur kemi pasur ato 7-8 raste të pastra më herët. Rrezikuam edhe të pësonim gol tjetër. Duhet të përmirësojmë diçka sa i përket pozicionit taktik dhe të mos humbasim balancën, nuk duhet të jemi shumë të hapur dhe duhet të qëndrojmë gjithnjë të bashkuar si skuadër taktikisht. Edhe pse një morëm një barazim në fund, duhet të përmirësohemi, por njëkohësisht edhe shumë gjëra të mira i bëmë”, u shpreh fillimisht tekniku italian i Elbasanit.

Sa i përket paraqitjes së portugezit Ze Gomesh, i cili bëri debutimin me verdheblutë, Bordin ka mbetur i kënaqur nga 25-vjeçari. “Ze Gomesh është pak me vonesë sa i përket kondicionit, por prandaj janë këto ndeshje për të ardhur në formë dhe u harmonizuar me skuadrën. Ka lëvizur mirë në fushë, ka kualitet dhe jam i kënaqur me atë që ka bërë në këtë ndeshje. Njëkohësisht, ka shumë dëshirë për të punuar”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Roberto Bordin, i cili pas dy fitoreve në miqësoret e kaluara, merr barazimin e parë me verdheblutë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: