Dita e fundit e kësaj jave rezervon për artdashësit durrsakë një shfaqje teatrore të shumëpritur.
“Borgjezi fisnik”, një ndër komeditë më të njohura të Molierit, vjen të dielën premierë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” nën regjinë e Driada Dervishit.
“Është një pjesë që është kërkuar me porosi nga Luigji XIV dhe përmban brenda vetes elementë të spektaklit, të një teatri pothuajse total. Kemi këngën live, muzikën live, të kënduara all acapella nga vetë aktorët etj”,- tha regjisorja Dervishi sinkron.
Në vitin e 70-të të themelimit të teatrit të Durrësit, nuk kishte sesi vinte më bukur komedia e Molierit, pasi ajo ka bërë bashkë emra të mirënjohur të skenës shqiptare dhe jo vetëm.
“Kam një staf vërtet për t’u krenuar, duke filluar me kompozitorin Hajk Zaharian, që ka krijuar një muzikë enkas për këtë komedi, skenografin Albert Dedja që ka ardhur nga Italia, kostumografen e njohur Ilirjana Basha, stilisten e mirënjohur Lira Koça, koreografin Klevis Elmazaj, që ka ikur nga Shqipëria në moshën 6-vjeçare, që punon e jeton në Amsterdam, por edhe sopranon Linda Kazani“,- thotë Dervishi.
“Ka shumë personazhe, shumë karaktere të ndryshme, ka qenë një sfidë e veçantë për faktin se në pjesë janë ndërthurur muzika dhe baleti, me këngëtarë dhe muzikantë profesionistë prandaj nuk ka qenë aspak e lehtë”, tha aktori i njohur Gentian Zenelaj sinkron
“Borgjezi fisnik” është një komedi që vë në dukje forcën e parasë dhe pushtetin që ka ajo ndaj njerëzve. Përveç të qeshurave të garantuara për publikun, ajo pse jo do të shërbejë edhe si një moment reflektimi për të gjithë.
Në këtë komedi interpretojnë aktorët Gentian Zenelaj, Mimoza Marjanaku, Andia Xhunga, Xheini Fama, Ervin Doko, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Jaho Guma, Romir Zalla, Amos Zaharia, Marvin Tafaj, ndërsa pjesëmarrje të veçantë kanë aktorët Met Xhelili dhe Roland Koça.
(BalkanWeb)