SARANDË- Megjithëse sezoni turistik ka filluar tashmë dhe në një pjesë të mirë të bregdetit është ndërhyrë duke e rehabilituar dhe pastruar, fshati i Borshit, një prej zonave më tërheqëse të jugut të vendit ka ende probleme madhore. Banorët de turistët përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike. Denoncimi vjen në BalkanËeb nga vetë banorët e Borshit, të cilët akuzojnë komunën aktuale se nuk i ka dhënë zgjidhje këtij problemi, ndërsa shton se prej 25 vitesh vuajnë mungesën e ujit dhe të energjisë.

“Ka filluar sezoni dhe ne kemi problem me ujin e pijshëm dhe me energjinë elektrike. Komuna në ikje nuk kujdeset për ujin e pijshëm pasi ka 8 vjet që saboton plazhin e Borshit. Jemi pa ujë, lagjja kryesore e plazhit, lagjja “Shkallë”. U ankuam tek shefi i shërbimeve të komunës, para tre ditësh erdhi dhe policia dhe ramë dakord që do ndërhyhej me urgjencë në rrjet sepse u evidentuan ndërhyrje të paligjshme si dhe disa defekte. Por në të njëjtën kohë dje nuk pati dhe drita sepse pikërisht dje bënë remont në Bistricë. Çështja është se njëherë në dy-te dit këta i fikin dritat. Kjo punë a ndodhur dhe vjet dhe 25 vjet me radhë, dhe ne mendojmë që e bëjnë qëllimisht”, deklaron një banor.

Më tej ai tregon se një ditë më parë në Borsh kanë shkuar edhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, por nuk kanë premtuar asnjë zgjidhje.

“Dje na erdhën përfaqësues nga zyra e Auron Tares, AKB, i shfaqëm shqetësimin tonë sepse dhe ata vetë nuk pinë kafe pasi s’kishte drita. Por ata na vunë në dukje se vitin tjetër do ndryshojë mënyra e dhënies se plazheve me qira, pra ne shfaqem një problem shumë të madh dhe ata po talleshin. Ne bëjmë apel për një zgjidhje nga Ministria e Turizmit, pasi Borshi frekuentohet në këto momente nga të huajt”, thotë banori.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: