Bosnja e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën dhe kjo çështje nuk do të hapet dhe nuk do të trajtohet gjatë mandatit të qeverisë aktuale, ka deklaruar sot shefi i diplomacisë i BeH-së, Igor Cërnadak.


Ministri ka mohuar se në periudhën e ardhshme në mbledhjet e Këshillit të Ministrave të BeH-së një nga temat do të jetë heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.


“Bosnja e Hercegovina do të bëjë gjithçka për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve, që të mundësohet funksionim sa më normal, por për heqjen e vizave s’do të diskutohet. Qytetarëve të Kosovës vizat nuk ua ka hequr as Bashkimi Evropian”, ka thënë Cërnadak.


Në forumin afarist BeH-Kosovë, i cili për herë të parë po mbahet në Sarajevë që nga viti 2008, prej se shteti vendosi viza për kosovarët, u theksua se ekonomia e BeH-së në ditë humb nga një milion euro për shkak të regjimit të vizave.

Si përgjigje ndaj vendimit të BeH-së, Kosova nga fundi i vitit 2013 vendosi viza për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës.

Për atë se për çfarë procedure të ndërlikuar bëhet fjalë, më së miri flet fakti se kosovarët për vizë boshnjake duhet të shkojnë në Shkup, kurse qytetarët e BeH-së në Tiranë ose Zagreb.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së, gjatë këtij viti qytetarëve të Kosovës u janë dhënë 612 viza, ndërsa asnjë kërkesë s’është refuzuar.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: