SARAJEVË- Anëtari boshnjak i presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç dënoi sulmin e djeshëm kundër kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Potcari, dhe theksoi se është i sigurt se Vuçiçi kishte ardhur me qëllime të mira për 20-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

“I garantova Vuçiçit siguri, kur bisedova me të dhe mendova se, lidhur me protokollin, gjithçka do të ishte në rregull”, deklaroi Izetbegoviç.

Dje në Potcar të Srebrenicës u përkujtua 20-vjetori i gjenocidit kundër 8 000 burrave e djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës. Kjo është vlerësuar si masakra më mizore në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se masakra në Srebrenicë ishte gjenocid. Në ceremoninë e djeshme morën pjesë mëse 50 000 vetë, përfshirë edhe delegacionet e mëse 80 vendeve të botës.

Sulmi kundër kryeministrit të Serbisë filloi kur ai ishte nisur për në qendrën përkujtimore. Në drejtim të tij u hodhën gurë dhe shishe. Njoftohet se policia ka arrestuar një person për shkak të këtij sulmi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb