Xhihadistë nga Shteti Islamik (ISIS) kanë publikuar një video të re promovuese ku tregohet se si po i rekrutojnë fëmijët në Kazakistan dhe po i përgatisin për luftë. ‘Në këtë kamp, fëmijët shkojnë në shkollë, ushtrojnë artet marciale, ndërsa mësojnë edhe si të përdorin armët. Në këtë video janë intervistuar edhe xhihadistë të moshuar, të cilët ushtrohen siç thonë ata, për të luftuar kundër të pafeve, paganëve dhe mëkatarëve.

Mësuesit e këtyre fëmijëve, besojnë se këta të fundit së shpejti do t’i bashkohen ushtrisë së shtetit islam’-shkruan Telegrafi. Fëmijët mësojnë rregullat e ISIS-it, besimin e tyre dhe binden se ata janë muxhahedinët e së ardhmes. Edhe pse janë të vegjël, fëmijët pohojnë se janë të përgatitur për të vrarë të pafetë dhe kërcënojnë se do t’i vrasin të gjithë ata që nuk e përkrahin ideologjinë e tyre. Gjithashtu, në këtë shkollë mësojnë parullat e ISIS-it si dhe ligjin e Sheriatit. Të gjithë fëmijët janë të veshur me uniforma ushtarake dhe me krenari dëshmojnë se shumë shpejt po mësojnë të montojnë dhe çmontojnë mitralozët.

Djemtë shfaqen edhe në formacionet taktike, si dhe në palestër, ku mësojnë rreth arteve marciale. Midis tyre gjendet edhe një djalë, i cili besohet se është jo më shumë se 4 vjeç.

(o.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb