U promovua në UET libri më i fundit i shkrimtarit e poetit Preç Zogaj, “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”. Në këtë vëllim poetik, Zogaj mbledh së bashku krijimtarinë poetike të 40 viteve, 1984-2024, duke iu qasur tematikave të larmishme, me gjuhën e ndjerë të një poeti të vërtetë.
Të gjithë ata që kanë dëgjuar intervistat apo kanë lexuar ndër vite shkrimet e tij në gazetën “Mapo” për leximet e rinisë, e njohin tashmë rrugëtimin letrar të poetit lezhjan. Janë në dijeni se si ra në kontakt me autorët më të njohur të shekullit XX, por edhe të mëhershëm, përmes librave të përkthyer në ilegalitet, e të shkruar në fletoret e shkollës, apo përmes valës së radiove italiane. Në atë mjegullnaje, jo vetëm fizike, kishte një grup të rinjsh të pasionuar pas letërsisë, që u njohën në largësi në largësi me poetë të mëdhenj, të cilët i bënë pjesë të vetëdijes estetike.
“U bënë pjesë e vetëdijes sonë estetike më mirë sesa t’i kishim studiuar nëpër katedra”, kujtoi poeti Preç Zogaj gjatë promovimit të librit të ti më të ri, një përmbledhje poetike e 40-viteve krijimtari.
U desh një periudhë e gjatë kohore për të rishikuar, evidentuar e përzgjedhur mes 11 vëllimeve të mëhershme poetike të botuara nga viti 1985 e deri në vitin 2021. E mes këtij zhbirilimi e kësaj retrospektive emocionale e nostalgjike, autori do të përzgjidhte një varg nga poezia “Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time” të shkruar në 1996, për të “pagëzuar” këtë vëllim voluminoz prej 550 faqesh.
Në librin “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, autori rikthen poezitë më domethënëse për gruan, miqtë, për poetët e preferuar, për Lezhën, për vdekjen, për nënën e tematika të tjera të pakohë, duke provokuar përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh.
“Sa sjell brendinë e tij aq bëhet edhe vëzhgues i jetëve që e rrethojnë. Poezitë e tij nuk të mbushin me optimizëm të rrejshëm, por as janë pesimiste”, do të shprehej drejtuesja e shtëpisë UET Press, Suadela balliu, duke theksuar se edhe pse e nisur në ‘84, poezia e Zogajt mbetet bashkëkohore, e reflektuar edhe në gjuhën që poeti zgjedh të përdorë.
Një skanim të plotë, në të gjitha dimensionet letrare vjen edhe nga studiuesi Gëzim Basha, i cili ka shkruar edhe parathënien e librit të Zogajt, duke evidentuar elementët karakteristikë të penës së tij, të krahasueshme me ato të poetëve të mëdhenj botëror.
“Përmbledhja e poezisë së zgjedhur të Preç Zogajt, një kaskadë gjuhësore mahnitëse dhe manifestim i plotë i maturisë estetike, konfirmon jo vetëm vendin e autorit në hierarkinë kanonike të poezisë shqipe, por edhe kapacitetin e sotëm të shqipes për ta mbërrirë sublimimin poetik me spontanitet fluid”, shprehet studiuesi Bashaj.
Ai i cilëson më tej poezitë e këtij vëllimi të sapobotuar si arritje më origjinale të poezisë shqipe në katër dekadat e fundit, ndërsa vlerëson pa rezerva mjetet letrare e stilistikore të poetit.
“Lirizmi i lindur dhe përkujdesja gjuhësore e kultivuar bëjnë që në vargun e Zogajt edhe gjërat më të zakonshme, kaluar në një filtër lirik defamiljarizimi, të krijojnë një festë letrare të pazakontë, larg tonit deklarativ, angazhimit të drejtpërdrejtë dhe “erudicionit” skolaresk, shkruan Bashaj ndër të tjera.
Dy miqtë më të afërt të poetit, miqtë e rrugëtimit të një jetë profesionale e letrare, Natasha Lako dhe Rudolf Marku evidentuan disa elementë që e bëjnë poezinë e Preçit, por edhe vetë figurën e tij, të dalë veçmas nga rreshti i shumë krijueseve e lëvruesve të artit të fjalës.
Poetesha Lako tha se moderniteti i poezisë së Preçit është e kahershme, është e djeshme dhe jo një zbulim i së sotmes. “Është një poezi spontane, që çel vetvetiu, sikur nuk është Preçi që e shkruan por është gjuha që e shkruan. Unë mendoj se poezia e madhe është ajo ku shkruan gjuha”, tha Lako.
Më tej ajo u shpreh se autori e përcjell jetën si një bekim, duke e bërë edhe poezinë të tillë, e cila vjen humane, e bukur me të tëra dhimbjet, me të gjitha problemet, me të gjitha plagët.
“Poezia jote është një bekim dhe kjo e bën të veçantë dhe një nga poezitë më humane. Atje ku jeta është një bekim është edhe humanizmi shumë i madh. Nuk janë gjërat e poezisë jashtë botës. Jemi brenda këtij realiteti, jemi brenda gjuhës sonë, por Preçi thekson humanizmin e këtij realiteti që ne na duket shumë i pakët e ndonjëherë fjalën humanizëm nuk po e përmendim”, nënvizoi Lako.
Miku i rinisë dhe i jetës së autorit, shkrimtari Rudolf Marku, njohës i fillimeve poetike të autorit, tha se përmbledhja e deritanishme shpreh një vijueshmëri të admirueshme të unitetit e krijimtarisë së mëprashme. “Mbaj mend poezitë e një 18-vjeçari të panjohur që imponoheshin me freskinë, natyrshmërinë, sinqeritetin poezi spontane që sillte një sensibilitet jo të zakonshëm”, theksoi shkrimtari. Ai e quajti poezinë e Zogajt një poezi të vërtetë, e cila shpërfaq alkiminë e jetës, duke bashkuar në një, trishtimin me lumturinë, vdekjen me dashurinë, qenien me mosqenien.
“’Me dasht duke qarë’ thotë ai në fillimin e një poezie duke dëshmuar kësisoj se sekreti i poezisë së vërtetë ashtu si dhe i vetë jetës qëndron në alkiminë e bashkimit në një të trishtimit me lumturinë, të vdekjes me dashurinë, të qenies me mosqenien. E gjitha kjo e sublimuar për ritmit dhe strukturës aq të veçantë e vetjake të poezisë e cila pa qenë e nevojshme shënohet si poezia e Preç Zogajt. Them e panevojshme sepse që me vargun e parë poezia e ka shpallur autorësinë e poetit,” u shpreh Marku.
Në fjalën e tij autori nuk i kurseu falënderimet për të pranishmit, ku spikatën dy falënderime të veçanta: e para për redaktoren e tij të parë Iskra Thoma dhe e dyta për autorin e parathënies së vëllimit të tij me poezi të zgjedhura, Gëzim Basha.
“Duke qenë kjo një përmbledhje që më kthen në librat e mi të parë poetikë”, tha ai, “dëshiroj të kujtoj sot me mirënjohje zonjën Iskra Thoma, redaktoren me shije dhe mendje hapur për atë kohë të vëllimeve “E pakryer” dhe “A thua do të vish duke qeshur”, dy libra që me përfshinë në botën e poezisë avanguardiste dhe më bënë adhurues e ndjekës nga radhët e një brezi më të ri, disa prej të cilëve i kam miq sot e kësaj dite”.
“Dhe dua ta përmbyll mbyll këtë piramidë lavdërimesh”, vijoi Zogaj, “me një emër që meriton më shumë se mund të thuhet e mund të them unë për të: Është Gëzim Basha, një artist i teksteve për letërsinë, pedagog i shkrimit akademik në Universitetin e Wisconsis në SHBA, bashkautor me UET PRESS dhe me mua në përzgjedhjen dhe përgatitjen e përmbledhjes “Në çdo pasqyrë me sheh mëkati”, autori i parathënës se gjerë me elementë studimorë të saj.”
Gëzimi është lexuesi i fillimeve dhe vazhdimeve të mia letrare në Gjirokastrën e tij të fund viteve tetëdhjetë e fillim viteve nëntëdhjete dhe në mërgimin e tij në SHBA pas vitit 1997, kur nuk njiheshin përveçse si emra dhe mandej edhe pasi u takuam për herë të parë në Tiranë para disa vitesh dhe nisem një komunikim të mrekullueshëm që kishte e ka në substancën e vet letërsinë, krijimtarinë, kritikën letrare, përsiatjet intelektuale për kulturën, politikën e tjerë.
Megjithëse jeton e punon prej çerek shekulli në SHBA, ai është një njohës i rrallë i letërsisë shqiptarë, të traditës dhe asaj korente. Është një rrokës deri në skaje i horizontit të letërsisë botërore, i shkencës së studimeve të saj, që ështe edhe fusha e tij e mësidhënies, shkrimeve dhe studimeve për autorë dhe dukuri letrare. Unë jam shumë i nderuar nga vlerësimet që ai ka bërë për krijimtarinë time poetike. Duke abstraguar nga emri im, mendoj se parathënia e tij është iluminuese për krijuesit shqiptarë të çdo moshë. Është një model impenjimi,
profesionalizmi, erudicioni dhe stili të shkruari për këdo që merret me kritikë dhe studime letrare në vendin tonë”.
Preç Zogaj kujtoi më tej poetët e gjeneratës së viteve ’80, të cilët pavarësisht kufizimeve arritën ta ruajnë të paprekur poezinë. “Ne u kapëm me të dyja duart e shpirtit pas estetikës së atyre librave që nuk ishin hequr dhe nuk mund të hiqeshin nga qarkullimi, sepse shkrimtarë të lejuar kishin estetikën e lartë, Pablo Neruda, Robert Burns, Bertolht Breht, Walt Whitman, apo prozatorët e mëdhenj. Ne u kapëm aty, pas Balzakut e Stendalit. Por nuk ishte e mjaftueshme.”
“Ne u bëmë brezi i të ashtuquajturës “antenë e ngritur në mjegull”, ramë në kontakt, në rrugë të vështira, me poetë të mëdhenj perëndimore të shekullit të njëzet, të pabotuar apo të ndaluar në vendin tonë, të cilët, prej etjes për lexim dhe njohje në fshehtësi, i bëmë pjesë të vetëdijes sonë estetike më mirë se sa t’i kishim studiuar nëpër katedra. Janë disa ata që u përfshinë në këtë aventurë shpirtërore të komunikimit, në këtë medium specifik apo “ korrespondencë me të tjerët përmes ajrit”, siç do të thoshte Ana Ahmatova. Me lejoni të përmend këtu një emër që besoj i përfaqëson të gjithë: ai është poeti dhe përkthyesi i shquar Rudolf Marku, miku im i rrugës së gjatë”, kujtoi poeti, duke sjellë më tej edhe vargje të tre prej poezive të tij.
Në këtë botim të ri të UET Press, “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, vijnë të mbledhura bashkë poezitë e zgjedhura të poetit, të cilat janë botuar më herët në vëllime, si: “Emrat tuaj”, më 1985; “E pakryer”, 1987 ; “ A thua do të vish duke qeshur”, 1989; “Qielli i gjithkujt”, 1990 ; “Këmbësor në qiell”, 1994; “Kalimi”, 1999; “Pas erës së re”, 2004; “Gjallë unë pashë “, 2008; “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, 2010; ”Fundi, një fëmijëri tjetër”, 2013; dhe nga më i fundit “Një e tretë dashuria”, 2021.
(Balkanweb)