NGA FATMIRA NIKOLLI

Përplasja mes botuesve dhe Bibliotekës Kombëtare për çështjen e ISBN-së (numrit unik) dhe CIP (katalogimit) vijon ende. Shoqata e Botuesve lajmëroi dje se “dyert e Agjencisë së ISBN në Bibliotekën Kombëtare janë akoma të mbyllura për vitin 2016”. Dy ditë më parë vetë Biblioteka Kombëtare lajmëronte se “Agjencia e ISBN-së, do ta ofrojë shërbimin e saj për të lidhur kontratat e përvitshme me qëllim pajisjen tuaj në vijim me ISBN dhe CIP duke filluar nga data 18 janar. Kjo shtyrje, për të cilën kërkojmë edhe mirëkuptimin tuaj, lidhet me disa përmirësime ligjore në dokumentacion, gjë që e tejkalon kompetencën e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”. Së fundmi BK e Shqipërisë nuk e jep ISBN-në, pa CIP (katalogimin) dhe këto shkaktojnë vonesa sipas botuesve dhe kanë kosto shtesë.

Ndërkaq, Shoqata e Botuesve i ka kërkuar ministres së Kulturës që të ndërhyjë për të zgjidhur këtë problem absurd dhe të vendosë para përgjegjësisë krijuesit e kësaj situate. Sipas tyre, në rast se kjo gjë nuk do zgjidhet ne u kërkojmë të gjithëve që të mos pranojnë të nënshkruajnë kontratën me kushtet denigruese që mendon Biblioteka Kombëtare, deri sa të arrijmë të realizojmë kërkesat tona.

“Kërkojmë të sjellim si një shembull shumë të mirë bashkëpunimi, për shumë vite me këtë institucion themelor të kulturës sonë, dhe me Prof. Aurel Plasarin që ka qenë gjithmonë pranë botuesve shqiptarë, edhe në rastet kur mund të ketë qenë në disfavor të institucionit që ai drejtonte. Kujtojmë këtu rastin kur kemi kërkuar nga komisioni parlamentar i kulturës abrogimin e nenit për dhënien falas të 5 kopjeve të detyruara, gjë që për fat të keq atëherë dështoi”,- shtojnë botuesit.

Dy ditë më parë, Biblioteka Kombëtare në një sqarim për mediat thoshte se “sa i takon shqetësimit për kopjen e materialit që duhet dhënë paraprakisht në BKSH, ‘ju sqarojmë se botuesve u është lënë e lirë zgjedhja mbi formatin mbi të cilin do të gjykohet përgatitja e CIP-i (katalogimit në botim) të printuar ose në format elektronik në PDF. Ky material është i domosdoshëm për realizimin e këtij detyrimi ligjor. Shërbimi brenda 24 orëve i përgatitjes dhe pajisjes me CIP shmang çfarëdolloj frike naive për gjoja piraterinë, çka është objekt i një ligji tjetër të Shtetit Shqiptar”.

Letra për ministren
“Jemi para një situate shqetësuese dhe të pangjarë më parë në marrëdhëniet mes botuesve dhe Bibliotekës Kombëtare, më konkretisht me Agjencinë ISBN”,- fillon letra që Shoqata e Botuesve Shqiptarë i ka dërguar dje ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtores së Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani. Ndërsa thonë se dyert e ISBN-në janë të mbyllura ata shtojnë se ky dëmtim ka dëmtuar veprimtarinë ekonomike të subjekteve botuese. Ata shtojnë se këto ditë kanë marrë përgjigje kontradiktore. Mandej ata shpjegojnë përplasjen mes tyre dhe i bëjnë me dije propozimet që i janë bërë Bibliotekës. “Lidhur me vendosjen e CIP, sikurse e parashikon ligji i librit, ju sqarojmë se është aplikuar për vite me radhë, por është hequr me porosi si një praktikë e vjetruar dhe e panevojshme për të gjitha llojet e botimeve. Tashmë përdoret shumë rrallë kryesisht për botime shkencore. Megjithatë Biblioteka Kombëtare mund ta përgatisë dhe ta ngjisë në çdo kopje libri, siç veprohet edhe në sisteme të njohura bibliotekare.

Ata i bëjnë me dije Kumbaros se kanë propozuar mënyra më të thjeshta dhe profesionale që ndihmojnë punën e agjencisë, pa shtuar kostot, por nuk kanë marrë përgjigje. Sipas Ligjit të Librit dhe Ligjit për Bibliotekat janë të përcaktuara rregullat dhe mënyrat se si funksionon Agjencia e ISBN. Botuesit thonë se për të marrë numrin e ISBN duhet dorëzuar kopja e librit në letër ose në format elektronik, çka sipas tyre kërkon kohë dhe shton koston ekonomike, sepse “do duhet sipas kësaj risie të printohet çdo libër (qoftë ai me 60 apo 2000 faqe). Kjo shkel edhe privatësinë dhe konfidencialitetin e punës botuese”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: