Edoardo Bove është emri që prej ditësh po mban në tension tifozët anembanë globit, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, pas kolapsit që pësoi të dielën e shkuar në fushë, në sfidën mes Fiorentinës e Interit në Artemio Franchi.
Edoardo Bove, siç pritej, iu nënshtrua një operacioni mëngjesin e sotëm në orën 7.30 për vendosjen e një defibrilatori nënlëkuror. Operacioni rezultoi i suksesshëm dhe u krye në spitalin Careggi të Firences, aty ku 22 vjeçari qëndron i shtruar prej ditës së mërkurë.
Bove pritet të lërë spitalin të mërkurës ose të enjten. Sipas protokollit mjekësor, mesfushorit italian i duhej vendosur ky defribiliator për shkak të problemeve kardiake, me të cilat ai u paraqit në spital.
Pas daljes nga spitali, Bove pritet të shkojë në kampin stërvitor të Fiorentinës për t’u përshëndetur me shokët e skuadrës e stafin e për të pritur më pas vlerësimin përfundimtar të ekipit mjekësor lidhur me mundësitë konkrete si dhe afatet për rikthimin në fushën e lojës të mesfushorit 22 vjeçar.