Euro dixhitale do të ketë kosto më të ulëta se sistemet tradicionale si Visa dhe Mastercard dhe do të ndihmojë institucionet financiare të përballen me sfidat e së ardhmes.
Këto janë parashikimet e anëtarit të komitetit ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone. Arritja e këtij objektivi varet edhe nga një arsye themelore sipas anëtarit të bordit të BQE-së: “ne nuk jemi një organizatë fitimprurëse, prandaj nuk do të vendosim kosto komisioni për operatorët tregtarë dhe kjo, sipas definicionit, do të ulë kostot e i gjithë sistemi”.
Monedha e përbashkët dixhitale
Ne kemi nevojë për një sistem të fortë pagesash dixhitale, ne mund ta arrijmë këtë duke sjellë paratë e bankës qendrore në epokën dixhitale me futjen e euros dixhitale: një formë e parave dixhitale, emetuar nga banka qendrore dhe e disponueshme për të gjithë në zonën e euros, tha Cipollone gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Çështjeve Ekonomike të Parlamentit Evropian. Euro dixhitale është një lloj bitcoin i komunitetit, një kriptomonedhë që do të emetohet drejtpërdrejt nga instituti i Frankfurtit dhe që do të plotësojë kartëmonedhat tradicionale. Dhe ndryshimi me monedhën fizike? Gjendet në sistemin e garancisë me euron dixhitale e cila do të garantohej plotësisht nga BQE duke i bërë depozitat shumë më të sigurta se ato tradicionale nga institucionet bankare.
Çfarë është monedha dixhitale
Për momentin 70% e të gjitha pagesave evropiane online ndërmjetësohen nga kompani joevropiane si Visa ose Mastercard, të cilave duhet t’u paguajmë një tarifë dhe në përgjithësi të gjitha transaksionet dixhitale që bëjmë me një kartë debiti ose celular duhet të jenë bërë gjithmonë nëpërmjet një institucioni financiar ose një POS, një terminali fizik që përfshin pagesën e një komisioni nga tregtari.
Ne nuk mund të transferojmë euro direkt në llogarinë e një personi tjetër, siç mund të bënim duke i dhënë para të gatshme që do të kalonin nga xhepi ynë në xhepin e tyre, dhe ne duhet të kërkojmë nga banka jonë që të transferojë paratë për ne.
Paraja dixhitale, nga ana tjetër, nuk ka nevojë që bankat të veprojnë si ndërmjetës. Këto para mund të ruhen në mënyrë kompjuterike përmes një pajisjeje celulare ose kompjuteri dhe të transferohen menjëherë po në mënyrë kompjuterike te një person ose kompani tjetër, sikur të dërgonit një email. Me euron dixhitale, BQE do të ishte garantuese e sigurisë së këtij procesi.
Zhvillime për bankat dhe konsumatorët
Euro dixhitale “mund të ndihmojë bankat të mbajnë klientët e tyre përballë konkurrencës në rritje në pagesa”, gjithashtu duke hapur “burime të reja të ardhurash për institucionet e kreditit”, shpjegoi Cipollone, i cili vazhdoi: “nëse krahasoni ‘euro dixhitale me shërbime si PayPal ose Apple Pay, përfitimet për bankat bëhen edhe më të qarta, bankat nuk fitojnë asgjë nëse njerëzit e mbushin portofolin e tyre PayPal përmes debitimit direkt, por në mënyrë efektive paguajnë një tarifë vetëm për të lejuar përdorimin e kartave të tyre në Apple Wallet, duke i lejuar bankat të ofrojnë shërbime me vlerë të shtuar për klientët e tyre”.
Prandaj, vë në dukje bankieri, “euro dixhitale do të thotë që ofruesit e shërbimeve evropiane të pagesave mund t’u ofrojnë klientëve të tyre komoditetin e përdorimit të produktit të tyre kudo në eurozonë, ashtu si kompanitë ndërkombëtare të kartave. Së fundi, bankat dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave do të jenë përgjegjës për shpërndarjen e euros dixhitale, duke vepruar kështu si pika e vetme e kontaktit për përdoruesit e euros dixhitale.