TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Endrit Braimllari akuzon kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për vendosjen e emrave të inkriminuar në krye të bashkive.

Në një deklaratë për mediat, Braimllari tha se Agim Kajmaku është zgjedhje dhe përgjegjësi personale e Ramës duke kujtuar deklaratat e tij për kandidaturat për zgjedhjet e 30 qershorit.

Sipas tij, shqiptarët nuk mund të pranojnë kriminelë në pushtet, ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

DEKLARATA E BRAIMLLARIT
Largimi i Agim Kajmakut vulosi edhe një herë që votimet e 30 qershorit ishin kriminale dhe moniste.
Agim Kajmaku është zgjedhje dhe përgjegjësi personale e Edi Ramës. Edi Rama deklaronte në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare se kishte përzgjedhur kandidaturat më të mira, më të pastra të cilat do t’i shërbenin qytetarëve të vendit.

Edi Rama i prezantoi në votimet moniste të 30 qershorit, si njerëz të pastër, punëtorë dhe madje shprehej se ishin të ngjashëm me të.

Edi Rama është përgjegjësi i vetëm pasi në mënyrë të qëllimtë në funksion të strategjisë së tij kriminale vendosi, kandidimin e Agim Kajmakut, Valdrin Pjetrit e plot të tjerëve.

Edi Rama dhe i vetëm në votime, nuk vendosi kandidatura të pastra për t’i shërbyer qytetarëve.
Ai është i vetmi kryeministër që nuk mban përgjegjësi, për rrënimin ekonomik të vendit, për koncesionet klienteliste, për trafikun qeveritar të drogës, për mos hapjen e negociatave dhe tani nuk mban as përgjegjësi për kandidaturat personale që i ka propozuar po vetë me rekorde kriminale.

Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, shqiptarët duhet të vendosin, shqiptarët nuk mund të pranojnë kriminelë në pushtet. Faji dhe përgjegjësia e Edi Ramës është e provuar botërisht dhe ai duhet të largohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb