TIRANË

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari në një deklaratë për mediat tha se Policia e Shtetit ndodhet në gjendje të mjerueshme.

Sipas tij, shifrat e publikuara së fundmi tregojnë se 80 për qind e efektivëve duan të largohen nga vendi. Gjithashtu ai akuzoi kreun e qeverisë, Edi Ramën, i cili sipas tij ka gisht në gjendjen ku ndodhet vendi.

“Polica e shtetit është në gjendje të mjerueshme. Ramës nuk i intereson ruajtja e sigurisë publike. Në këtë gjendje  është katandisur vendi. 80 për qind e efektiveve  të policisë duan të largohen nga vendi. Policia ndodhet në ditën më të keqe ,ndërsa krimi ndodhet në kohën më të mirë.”, tha mes tjerash ai.

Deklarata e plotë:

“Kërkesat e sindikatës së policisë drejtuar Edi Ramës janë këmbanë alarmi se si Edi Rama e ka degraduar Policinë e Shtetit.

Policia e shtetit ndihet e demotivuar, e depersonalizuar dhe e nëpërkëmbur. Policia shpeshherë ndodhet përballë qytetarëve të cilët protestojnë, por mijëra policë kanë problemin me të madh të ushqejnë familjet e tyre,mijëra policë shtyjnë ditën me 1 sanduiç dhe nuk kanë mundësi të arsimojnë fëmijët e tyre. Kryeministri i inkriminuar i bërë njësh me krimin dhe trafikun e drogës, ka tradhtuar policinë e shtetit si kurrë më parë. Edi Rama e ka projektin e tij politik shkatërrimin e Policisë së Shtetit.

E filloi këtë me kanabizimin e vendit ku drejtues policie  të verifikuar tanimë dhe nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, merrnin pjesë drejtpërdrejt në procesin e kanabizimit.

E vazhdojnë fushatën elektorale ku i bënte thirrje nga Kuçova të hiqnin kapelet dhe të bënin fushatë për Rilindjen, duke implikuar rëndë rolin e Policisë së shtetit, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën nga ana e Edi Ramës. Drejtues policie të lidhur me trafikantët vunë në zbatim çdo aset shtetëror, duke filluar nga radarët, të cilët monitorojnë kufijtë tanë.Janë ende në arrati tre drejtues të lartë të përfshirë në trafik droge.

Lajmi i sindikatës së policisë për kushtet e vështira në punë, tregon se efektivët e policisë janë më pak të paguar, prej vitit 2014 nuk ka rritje rrogash. Dieta të prapambetura të cilat nuk paguhen tregojnë dhe njëherë gjendjen e vështirë në të cilën është Policia shqiptare , për shkak të politikës së Edi Ramës, të cilit nuk i intereson ruajtja e sigurisë publike, por trafiku i lëndëve narkotike dhe lidhja me krimin e organizuar. Kjo situatë e rëndë, në të cilën ndodhet vendi, ku varfëria ekonomike, pasiguria publike, mungesa e vendeve te punës ka rënduar edhe mbi efektivët e policisë.

Është e qartë që kur efektivët e policisë nuk shohin vullnet të Kryeministrit dhe drejtuesve të tyre për tu vënë në krahë të oficerëve të ndershëm të policisë në luftë kundër krimit të organizuar, do kërkojnë të largohen nga vendi.

Ku 80% e efektivëve të policisë kanë plotësuar lotarinë amerikane. Kjo tregon qartë degradimin që i ka bërë Edi Rama Policisë së Shtetit. Sot policia po përballet me ditët më të vështira dhe është vënë në lojë ekzistenca e saj. Sot policia ndodhet në ditët më të këqija dhe trafikantët në ditët më të mira sepse kryeministri i inkriminuar është bërë njësh me to”, tha Braimllari.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb