Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Brahimllari nga protesta  e  banorëve të “Unazës së Re”,  ka kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të nisë hetimet për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Pas publikimit të skandalit të falsifikimit të dokumentave nga Dunwell Haberman (kompani mëmë e DH Albania), e cila ka fituar tenderin për lotin e parë, 18 milionë euro, Braimllari tha se u vërtetua qartë që lekët nuk shkojnë për investime, por në xhepin e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë.

“E para dje u vërtetua para publikut se ku do shkojnë lekët e Unazës së Re. E mbani mend shumë mirë se çfarë thoshte Edi Rama. Nuk kam lekë thoshte për të shpronësuar banorët sepse lekët e banorëve do i çoj për shkolla, do i çoj për kopshte, do i çoj për spitale. Por e patë shumë mirë që lekët nuk shkonin për shkolla, nuk shkonin për kopshte, nuk shkonin për spitale, por shkojnë në xhepin e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit duke u pastruar.

Prokurorja e Përgjithshme duhet urgjentisht të nisë një hetim dhe t’u bllokojë pasaportën dhe t’i marrë në hetim Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Drejtorin e Rrugëve dhe të gjithë të tjerët të cilët kanë bërë këtë mega vjedhje për këta banorë. Sot shqiptarët janë gjithmonë e më të varfër. Sot shqiptarët janë gjithmonë e më të pashpresë. Sot shqiptarët nuk kanë mundësi të edukojnë fëmijët e tyre. Dhe Edi Rama shkon dhe pastron lekët në kompani offshore dhe i vjedh këta qytetarë në kurriz.

Pra ajo ç’ka doli dje u vërtetua që këto lekë nuk shkojnë për investime, por shkojnë në xhepin e Edi Ramës. Sot kauza e banorëve ka fituar! Ka fituar, sepse në ditën e 33-të të tyre është vërtetuar që lekët shkojnë në xhepin e Edi Ramës. Sot ato tre djem që janë në burg nga Edi Rama, që janë dhunuar nga Edi Rama kanë fituar dhe të jeni të bindur që këta banorë nuk do të largohen, do qëndrojnë dhe do të protestojnë derisa drejtësia të vihet në vend dhe këta të fitojnë të drejtën e tyre.  E drejta e pronës mbrohet me Kushtetutë. Edi Rama është një hajdut që dhunon qytetarët dhe rrjep në kurrizin e tyre”, tha Brahimllari.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb