ELBASAN

Dy mjekët e arrestuar në Elbasan vihen nën akuzë për braktisje të detyrës me pasoja fatale për jetën e një pacienteje-Arrestimi i reanimatorit dhe mjekut kardiolog në spitalin e Elbasanit është bërë me urdhër të prokurorisë pas dokumentimit të rastit të vdekjes një orë pas lindjes të 25-vjeçares Rexhina Debrova.

Burime zyrtare bënë me dije se policia ka arritur në konkluzionin se mjeku reanimator Nikollaq Thana dhe mjeku Kardiolog Mehmet Ibaj nuk kanë respektuar detyrimin ligjor të kryerjes së detyrës.

Kardiologu Ibaj edhe pse ishte i mjek i gatshëm, sipas hetimit paraprak është paraqitur tri orë pas thirrjes me urgjencë për të qenë në maternitet për trajtimin e rastit të 25-vjeçares me komplikacione pas lindjes.

Po kështu nga hetimi paraprak ka rezultuar se edhe mjeku reanimator Thana ishte larguar menjëherë pasi kishte asistuar në procesin e operacionit që i ishte nënshtruar 25-vjeçarja pa e ndjekur ecurinë e shëndetit më pas.

Nga kryerja e këtyre verifikimeve dhe dokumentimi i procedurave të kryera që nga paraqitja me urgjencë në spital deri në humbjen e jetës së 25-vjeçares hetuesit ndaj dy mjekëve kanë ngritur akuzën e “Veprime të papërgjegjshme dhe braktisje të detyrës” me pasoja fatale për jetën e 25-vjeçares.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb