Braktisja që Ljubisha Tumbakoviç i bëri Malit të Zi përpara ndeshjes me Kosovën la shije të hidhur në vendin fqinj, por edhe në të gjithë botën e futbollit. Trajneri serb iu dorëzua presioneve nga qarqet nacionaliste në vendlindje dhe nuk zbriti fare në fushën e lojës. Bashkë me të e braktisën Kombëtaren e Malit të Zi edhe dy lojtarët malazezë të Crvena Zvezdës, Marko Ivaniç dhe Filip Stojkoviç, të dy të lindur në Serbi.

Sot Serbia ka shpërblyer veprimin “patriotik” të Ljubisha Tumbakoviç, duke e graduar 66-vjeçarin si trajner të parë të përfaqësueses sllave, e cila kishte mbetur pa trajner që pas ndeshjeve të qershorit, ku u mundën 5-0 nga Ukraina dhe fituan 4-1 ndaj Lituanisë, rezultate që i kushtuan vendin e punës trajnerit Mlladen Krstajiç.

Mediat malazeze raportuan se Tumbakoviç, Ivaniç dhe Stojkoviç ranë pre e presioneve nga Serbia dhe bojkotuan takimin kualifikues kundër Kosovës. Federata e Malit të Zi e shkarkoi menjëherë Tumbakoviçin, por nuk mori asnjë masë ndaj dy lojtarëve të Crvena Zvezdës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb