TIRANE – Mungesa e higjienës dhe infrastrukturës shkollore, si dhe mungesa e transportit për nxënësit që jetojnë larg shkollave, vlerësohen si shkaktarët kryesorë të braktisjes së arsimit parauniversitar në shumë zona rurale të vendit.

Janë këto disa nga konkluzionet e studimit të realizuar nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe organizata “Partnerët për fëmijë”.
Studimi është shtrirë në 18 shkolla nëntë vjeçare, në 6 qarqe të vendit dhe gjetjet e tij flasin për probleme serioze të higjienës, mungesë të ujit të pijshëm, si dhe infrastrukturë të shkatërruar dhe amortizuar shkollore. Më rëndë situata paraqitet në veri të vendit, ku rezulton se në 5 nga 18 shkollat e përfshira në studim, nuk ka fare ujë të pijshëm dhe fëmijët përdorin ujë me fuçi.

Ndër problematikat më shqetësuese në studim renditet mungesa e transportit për fëmijët që jetojnë në fshat dhe që kanë largësi nga shkolla mbi 2 kilometra. Në shumë raste, fëmijët nuk e përballojnë dot rrugën, sidomos gjatë dimrit dhe detyrohen ta braktisin shkollën.

Veç të tjerash, ekspertët kanë konstatuar se në shumicën e shkollave mungojnë terrenet dhe pajisjet sportive, e bashkë me to edhe bibliotekat, si dhe sallat e informatikës. Për rrjedhojë, në 6 shkolla nga 18 të përfshira në studim, kompjuterët mungojnë totalisht, kjo edhe si shkak i vjedhjeve të ndodhura. Veç kësaj, studimi ka nxjerrë në pah mungesën e psikologut në shumë shkolla dhe mosprezencën e psikologut në shkollat ku figuron një i tillë. Realizimi i studimit është mbështetur nga qeveria daneze.

Problematikat e paraqitura në studim, vlerësohen si tepër shqetësuese edhe për vetë Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: