Siç duket Brazili është paralizuar nga greva e kamionistëve, e cila shënon ditën e pestë të saj. Nga bllokimi i rrugëve aeroportet, spitalet dhe shkollat kanë mbetur të izoluara në pamundësi furnizimi me materialet bazë.
Dy ditët e fundit ka patur mungesë të theksuar në furnizimin ushqimor dhe me karburant. Edhe pse fillimisht ishte folur për një marrëveshje mes qeverisë dhe 9 nga 11 organizatat e kamionistëve në protestë, situata është e tensionuar. Kërkesa kryesore e grevistëve është ulja e çmimit të karburantit. Sipas mediave braziliane rreth 1 milion kamionë kanë bllokuar më shumë se 900 pika kryesore në 22 autostrada në vend. 11 aeroporte deklaruan se kanë problem me furnizimin me karburant duke bërë që të anulohen me dhjetëra fluturime.

Porti i Santos, terminali kryesor i anijeve në Amerikën Latine ka mbetur i izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Në disa qytete është pezulluar mësimi në shkollat publike.
Shoferët e automjeteve ankohen për radhët e gjata në pikat e karburantëve, ku çmimet po thyejnë çdo rekord, spitalet nuk po furnizohem me ilaçe, ndërsa rreth një miliard pula e dy milionë bagëti rrezikojnë të ngordhin pasi nuk po ushqehen. Presidenti i vendit, Temer deklaroi se ushtria do të lirojë rrugët, pasi popullsia duhet të furnizohet me materialet bazë. Por kamionistët kanë kërcënuar me gjakderdhje nëse ushtria do të ndërhyjë.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb