Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka paralajmëruar administratën amerikane të Donald Trump se çdo vendosje tarifash ndaj produkteve braziliane do të sjellë kundërpërgjigje nga Brazili.
“Është shumë e thjeshtë: nëse ai takson produktet braziliane, ne do të hakmerremi,” deklaroi Lula gjatë një konference për shtyp në Brazil.
Ai theksoi nevojën për respekt reciprok mes tij dhe Trump, duke argumentuar se të dy janë liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Lula gjithashtu kritikoi vendimin e presidentit amerikan për të tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke e quajtur atë një “kthim prapa për qytetërimin njerëzor”.
“Refuzimi i Marrëveshjes së Parisit dhe ndalimi i financimeve për Organizatën Botërore të Shëndetësisë janë hapa prapa për njerëzimin,” tha ai.
Lula shtoi se i ka dërguar një letër urimi Trumpit, por për momentin nuk sheh asnjë mundësi për një takim mes tyre në të ardhmen e afërt.