NGA EGLANTINA ALLIAJ*

TIRANË- Nisma e qeverisë për luftën ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal vlerësohet nga sipërmarrja private si një nga nismat më të rëndësishme. Në një intervistë për News24, Luan Bregasi, presidenti i Biznes Albania, thekson se kjo nismë ka qenë një kërkesë e hershme e biznesit.

Ai nënvizoi se ky aksion nuk duhet të keqpërdoret si mënyrë për të sulmuar biznesin. Sipas presidentit të Biznes Albania, aksioni kundër informalitetit duhet të rezultojë në një strategji të qartë fiskale. Sipas Bregasit taksat e larta janë burim për informalitet dhe korrupsionin, ndërsa taksa më të ulëta, janë një nga mënyrat që mund të luftojnë informalitetitin.

Zoti Bregasi, si e shikoni nismën e qeverisë shqiptare për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal?
Luan Bregasi: Është një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë Rama. Qeveria shyqyr që u kujtua dhe mbështeti sipërmarrjen private në luftën kundër evazionit dhe informalitetit. Është në detyrën e operatorit shtetëror të monitorojë tregun, dhe jo detyrë e sipërmarrjes. Por operatori që rregullon tregun është shteti. Ne  kemi kërkuar dhe e kemi artikuluar shpeshherë që qeveria, një nga prioritetet e saj duhet të ketë luftën kundër evazionit fiskal dhe informalitetit. Falënderoj qeverinë që dëgjoi sipërmarrjen private pas shumë vitesh. Nuk është fjala për të mbledhur disa lekë më shumë. Përveç rezultatit në buxhetin e shtetit, ky aksion do të ketë  një efekt shumë të madh edukativ tek sipërmarrja private, që të kuptojnë njëherë e përgjithmonë që duhet t’i drejtohet ligjit, rregullit, barazisë në treg, me qellim që të të gjithë të jemi të barabartë me kërkesat e tregut dhe jo të evazionit dhe informalitetit. Vlera më e madhe e këtij projekti do të qëndrojë tek një edukatë e re fiskale që do të kultivohet edhe nëpërmjet ligjit dhe rregullit tek sipërmarrja private, që të jemi të gjithë të barabartë përpara kasës fiskale,  tatimorit, doganierit.

Përveç efektit edukativ tek sipërmarrja, cilat janë  përfitimet në shifra nga ky aksion?
E përmendi dhe ministri i Financave, ka një llogaritje 300-330 milionë dollarë. Gjithsesi sensibilizimi i  këtij mentaliteti të ri tek biznesi ka më shumë vlerë se paratë. Sipas qeverisë pjesa më e madhe  e të ardhurave do të shkojë në një botëkuptim të qeverisë shqiptare. Është më mirë të ecim me një bazë me taksa të ulëta dhe me një bazë të gjerë tatimpaguesish, sesa të përqendrohet ngarkesa fiskale në një grupim të vogël sipërmarrjesh dhe biznesesh, të cilat jua rëndojmë çdo vit sa herë kërkohet rritje e buxhetit, aq herë rëndojmë ngarkesën fiskale për një grup që janë të regjistruar në taksa dhe tatime. Harrojmë që jashtë këtij sistemi ka mijëra  biznese, ka me dhjetëra profesione të lira, që janë futur shkallëve të pallatit dhe nuk i gjejmë dot, fitojnë më shumë lekë sesa fiton një dyqan i vogël i ekspozuar përballë rrugës. I gjithë ky operacion do të krijojë një raport të ri të shtetit me sipërmarrjen private, të shtetit me buxhetin, sidomos të mentalitetit të qeverisë shqiptare, që duhet të eci me filozofinë e taksave të ulëta, me qëllim që Shqipëria të bëhet atraksion, të ketë një ofertë ekonomike, ofertë fiskale edhe për investitorë e huaj. Unë dëshiroj të them që ky projekt i qeverisë nuk ka lidhje për të sulmuar sipërmarrjen private. Sigurisht kujdes duhet bërë, të mos përdoret si mënyrë për të gjuajtur biznesin, le të ketë dhe paralajmërime,  le të ketë dhe asistencë fiskale për kompani që nuk dinë sesi përdoret dhe raportohet kasa fiskale,  dhe krahas kësaj të vihen dhe afate dhe rregulla të tilla ligjore që të vijë momenti për ndëshkuar çdo biznes, çdo individ që nuk respekton kasën fiskale.

Sa i përgatitur është biznesi i vogël për ta përballuar këtë aksion?
Biznesi i vogël ka një sistem taksash të përcaktuar. Nuk bëhet fjalë për biznesin e vogël të riregjistruar. Ka biznese të vogla të paregjistruara. Mendoj se beteja me bizneset e vogla do të jetë me ata që janë jashtë sistemit të taksave, janë pa regjistruar fare, shesin poshtë pallatit, dhe nuk japin asnjë faturë. Nga kjo pikëpamje, beteja me biznesin e vogël nuk është në lidhje me ata që janë regjistruar, sigurisht dhe aty  ka subjekte që mund të formalizohen, por beteja do jetë me ato biznese të vogla të rrugës, lagjes që janë pa regjistruar dhe janë jashtë sistemit fiskal.

Lidhur me politikën e taksave, opozita dhe kryetari i kuvendit Ilir Meta kërkojnë që të ketë një politikë të mençur me taksa të ulëta. Cili është mendimi juaj?
Ky aksion nuk është qëllim në vetvete. Finalja e këtij aksioni është që  të ardhurat që do të vijnë nga lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal të rezultojë në një politikë të shtruar dhe të mençur, të zgjuar, dhe të artikuluar  dhe me asistencë të institucioneve ndërkombëtare dhe akademike, që të bëhet një strategji e qartë fiskale për sipërmarrjen private. Jemi i vetmi vend që bëjmë paketa fiskale çdo vit, bëjmë propozime çdo vit. Sigurisht që ky është një vend me politika të reja zhvillimi, normalisht ka nevojë dhe për rregullime dhe sistemime ligjore. Por këto nuk mund të bëhen kaq të shpeshta. Le të ecim me një platformë më të gjerë politike, ekonomike dhe fiskale. Që do të thotë që kjo betejë të  na çojë  drejt një strategjie të qartë. Sipas pikëpamjes së Biznes Albania dhe pikëpamjes sime si sipërmarrës, të ecim me taksa të ulëta, sepse vetëm taksat e ulëta janë një nga arsyet  që mund të luftohet informalitetiti. Taksat e larta janë burim për  informalitet dhe korrupsion. Nga kjo pikëpamje unë shpresoj  që pas këtij operacioni të kemi një   platformë më të gjerë dhe më të qartë për sistemin fiskal në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: