Akrepat e orës kanë filluar numërimin mbrapsht drejt 29 marsit, dhe daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Pavarësisht nëse Brexit do të jetë “i butë” apo ”i ashpër”, Britania e Madhe është e vendosur të përballojë një periudhë të vështirë ekonomike.

Por Britania i ka mbijetuar krizave shumë më të mëdha në të shkuarën, dhe do ta kapërcejë edhe këtë moment.

Për mua, pyetja e vërtetë ka të bëjë me pasojat që do të shkaktojë Brexit për të ardhmen e Evropës. “Ideja Evropiane”, thuajse me siguri do të mbijetojë. BE-ja nuk do të shkatërrohet në prag të Brexit, dhe do të kapërcejë pasojat ekonomike nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar.

Por Brexit, do ta dëmtojë rolin e Evropës në botë, në një mënyrë që ne evropianët aktualisht duket se jemi të paaftë ta kuptojmë.

Vendimi i fundit i administratës së presidentit amerikan Donald Trump, për zvogëlimin e statusit diplomatik të misionit të BE-së në Uashington, është ndoshta veç një shije e vogël e gjërave që do të vijnë më pas. Sfondi gjeopolitik në të cilin po ndodh Brexit, nuk mund të shpërfillet, dhe mund të luajë një rol të madh në përcaktimin e ndikimit të tij tek BE-ja.

Fakti më i spikatur, është se bilanci politik dhe ekonomik i fuqisë botërore, është duke u zhvendosur nga Atlantiku në Paqësor – një prirje për të cilën nuk mund të fajësohen vetëm populistët si Trump. Tek e fundit, ishte presidenti Barak Obama, ai që foli për SHBA-në si një vend i Paqësorit dhe jo një vend atlantik, ndërsa paraardhësit e tij kishin folur gjithmonë për SHBA-në si një aktore transatlantike.

Ndërkohë që ne mund të jetojmë sot në një botë “G-Zero”, pa një fuqi të vetme që merr përsipër përgjegjësi globale, nesër mund të kemi një botë G-2, në të cilën SHBA dhe Kina garojnë për dominimin global. Evropianët – dhe këtu unë përfshij edhe britanikët – përballen me pyetjen nëse (dhe si), ne do ta ruajmë sovranitetin tonë midis këtyre qendrave rivale të fuqisë.

Me përjashtimin e mundshëm të politikave klimatike, Evropa tashmë është spektatore në shumicën e konflikteve dhe çështjeve globale. Këto përfshihet rifillimi i garës së armëve bërthamore, të cilën Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin duken të etur ta ndjekin, si dhe trazirat e dhunshme në Lindjen e Mesme.

Në vend se të kthejnë kokën nga Evropa, përballë tërheqjes së njoftuar të Trump nga forcat amerikane nga Siria, grupet rebele që luftojnë kundër Presidentit Bashar Al-Assad, me sa duket për vlerat e lirisë dhe demokracisë, po kërkojnë një aleat midis Rusisë dhe Turqisë.

Pas Brexit, ne mund ta shohim veten në një gjendje më të rrezikshme, sepse bota do t’i shohë evropianët si më të dobët. Në pamundësi për të qenë të bashkuar, dhe për të strukturuar interesat tona, përpjekjet tona për të bindur të tjerët mbi pikëpamjen tonë të botës, duket se janë të kota.

Për më tepër, me Brexit, BE-ja do të humbasë një anëtar me rrjete diplomatike shekullore, një motor të ekonomisë botërore, dhe një fuqi bërthamore me një ushtri të klasit të parë. E gjithë kjo duhet të jetë arsye e mjaftueshme, për t’i përdorur javët e mbetura deri më 29 mars (dhe ndoshta përtej) për të kërkuar compromise, që mund të kufizojnë dëmin që do të shkaktohet nga Brexit.

Është e qartë, që të gjitha gjasat janë në shumicë kundër suksesit. Për shumicën e opozitës laburiste në Britani, Evropa është shumë më pak e rëndësishme sesa rrëzimi i kryeministres Tereza Mej. Shumë nga konservatorët në pushtet, (dhe mjerisht edhe disa laburistë), do të arrijnë objektivin e tyre të Brexit, duke mos bërë asgjë.

Atëherë, çfarë duhet të bëjnë evropianët? Mund të jetë e saktë të theksohet që Britania e Madhe e vuri vetë veten në këtë pozitë, për shkak të sjelljes së pakujdesshme të elitës së saj politike. Por ky qëndrim nuk ndihmon askënd. Jo vetëm populli britanik, por Evropa si e tërë, do të vuajë pasojat e Brexit.

Për të arritur një zgjidhje që e mban Mbretërinë e Bashkuar sa më afër BE-së, të gjithë evropianët duhet të pranojnë se ajo që do të ndodhë më 29 mars, ka rëndësi për ne të gjithë.

Më konkretisht, partitë socialdemokratike evropiane duhet të bisedojnë me laburistët dhe udhëheqësin e saj euroskeptik, Xheremi Korbin.

Konservatorët dhe liberalët gjermanë, së bashku me presidentin francez Emanuel Makron, duhet të flasin me qeverinë irlandeze, lidhur me pasojat e mundshme të një Brexit të ashpër, domethënë një kufiri të masave të forta midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut, dhe një ringjallje të dhunës në ishull.

Parandalimi i këtij skenari, ishte synimi i marrëveshjes së tërheqjes nga BE, së nënshkruar nga zonja Mej me drejtuesit e BE-së, të cilën parlamenti britanik e hodhi poshtë më 15 janar. Evropianët, duhet ndërkohë të pyesin veten nëse mund të bien dakord mbi një traktat më të mirë midis BE-së dhe Britanisë së Madhe, sesa ai që kemi aktualisht nëpër duar.

Ndoshta ekzistojnë mënyra të tjera për ta siguruar Britaninë, se do të ketë një traktat pasues të pranueshëm për të dyja palët, sipas të cilit askush nuk është një peng i përhershëm. Dhe ndoshta ka vend edhe për manovrim, në lidhje me çështjen e lirisë së lëvizjes brenda BE-së.

Tek e fundit, jo vetëm qeveria britanike, por edhe kryebashkiakët e qyteteve gjermane dhe këshillat e qytetit, kërkojnë instrumente më të mira dhe më të mira, për të zbutur ndikimin e emigracionit në sistemet tona të sigurisë sociale. Liria e lëvizjes, nuk përjashton menaxhimin e kësaj lirie.

Me afrimin e datës 29 mars, Bashkimi Evropian duhet të bëjë të qartë se ora do të ndalet, nëse Britania thotë se ka nevojë për më shumë kohë. Kjo nuk do të ishte asgjë e re në negociatat ndërkombëtare. Edhe data e zgjedhjeve të këtij viti në Parlamentin Evropian, nuk duhet të jetë një pengesë e pakapërcyeshme.

Është koha për kreativitet politik. Çdo shans për sukses, pavarësisht probabilitetit, duhet të shfrytëzohet. Çmimi i një Brexit kaotik, është tepër i lartë për cilindo në Evropë, që të mund ta pranojë në një mënyrë indiferente.

Shënim: Sigmar Gabriel, ish-Ministër i Jashtëm gjerman, është anëtar i Bundestagut./“Project Syndicate” – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: