Pasojat e Brexit poten cialisht ekzistojnë për Shqipërinë dhe rajonin tonë, por mbeten ende të vështira për t’u identifikuar”. Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare të Bankës së Shqipërisë.

“Brexit përbën një fenomen përcaktues për BE-në dhe Eurozonën. Si i tillë, nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Ai mund të shoqërohet me efekte negative direkte apo indirekte, afatshkurtra apo afatgjata në tregjet e punës, të mallrave dhe shërbimeve. Në Shqipëri, efektet e drejtpërdrejta vlerësohen të jenë të vogla, pasi bashkëpunimi tregtar me Mbretërinë e Bashkuar mbetet i ulët.

Eksporti i mallrave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar përbën vetëm 0.2% të totalit të 10 viteve të fundit. Ndërsa importi është rreth nivelit 1.1%. Raporte të ulëta paraqet edhe stoku i investimeve të huaja britanike në Shqipëri, ndërkohë, ndikimi në remitanca është më i lartë, por jo përcaktues. Efektet e tërthorta do të varen nga ndikimi që do të ketë Brexit në ekonomi dhe në sistemin ekonomik. Pasojat e Brexit për rajonin dhe Shqipërinë ekzistojnë potencialisht, por mbeten ende të vështira për t’u identifikuar”, – tha Sejko.

Guvernatori tha se ekonomia shqiptare është në një rritje pozitive, kjo falë masave të marra. Po ashtu, Sejko deklaroi se kushtet për kreditim në Shqipëri janë përmirësuar dhe do të vijojnë të jenë në përmirësim. Ndërkohë, kryeministri Rama, i pranishëm në Konferencë, u shpreh se, pavarësisht arritjeve ekonomike, është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje për huatë me probleme, ndërsa nënvizoi se përmirësimi i të ardhurave përkthehet në rritje rrogash e pensionesh si dhe ulje të borxhit publik.

“Ka qenë dhe mbetet një sfidë shumë e rëndësishme cilësia e portofolit të kredisë. Gjatë vitit 2015 është parë një përmirësim i ndjeshëm, ka zbritur me 4.6 pikë niveli i kredive me probleme, krahasuar me fundin e vitit të mëparshëm, por mbetet një sfidë e përbashkët, e Bankës së Shqipërisë, e qeverisë shqiptare dhe më gjerë, ulja e mëtejshme e këtij niveli”, – tha Rama.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: