Lideri i partisë Brexit, Nigel Farage, ka ftuar Partinë Konservatore për të formuar aleancë për zgjedhjet e 12 dhjetorit në Britani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fillimin e fushatës zgjedhore, Farage theksoi se aleanca do të bashkonte votat e atyre që duan braktisjen e Bashkimit Evropian (BE) kundër Partisë Laburiste.

Ai tha se bashkimi i partive është “mënyra e vetme” për të ecur para dhe se nëse kjo refuzohej, partia Brexit do të nominonte kandidatë “për çdo ulëse” në Angli, Skoci dhe Uells.

Komentet e bëra nga Farage vijnë një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për një aleancë të tillë në një emision radioje me kreun e partisë Brexit.

“Do të doja të të shoh ty (Farage) dhe Boris-in të bëheshit bashkë pasi me të vërtetë do të kishin numra të mirë, pasi ju ishit fantastik në zgjedhje, në zgjedhjet e fundit”, Trump i tha Farage-ut gjatë emisionit.

Farage, një politikan i vendosur për braktisjen e BE-së dhe ish-lider i partisë së ekstremit të djathtë Partia e Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar (UKIP), themeloi partinë Brexit në muajin prill.

Kjo parti fitoi 31,6 për qind të votave duke u bërë partia e parë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në maj, duke i lënë pas konservatorët dhe laburistët. Në këto zgjedhje, Demokratët Liberalë pro-BE-s ishin të dytët me 20,3 për qind.

Duke folur për liderin e Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, Trump tha se, “Corbyn do të ishte shumë i keq për shtetin tuaj, do të ishte aq i keq, do t’u çonte në një rrugë aq të keqe. Ai do t’u çonte në vende shumë të këqija”.

Lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, reagoi ndaj komenteve të Trump-it, duke i përshkruar ato si “intervenin” në politikën britanike.

Partia Konservatore akoma nuk është përgjigjur për thirrjen e Farage-ut për aleancë. Megjithatë, burime brenda partisë thonë se kjo nuk vjen parasysh pasi sondazhet e fundit thonë se konservatorët janë në përparësi të qartë.

Parlamenti britanik vendosi që të organizohen zgjedhje të përgjithshme më 12 dhjetor pasi BE vendosi për një prolongim të afatit për Brexit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili këmbëngulte që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja më 31 tetor, duhej të kërkonte prolongimin e afatit pasi dështoi të sigurojë mbështetje në një votim që do të përcillte në mënyrë të shpejtë legjislacionin e marrëveshjes së tij.

Mbretëria e Bashkuar në një referendum në vitin 2016 vendosi të largohet nga BE-ja.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb