Britania do të pezullojë menjëherë 30 licencat e eksportit të armëve nga 350 që ka me Izraelin, sepse ekziston rreziku që pajisje të tilla të përdoren për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, tha ministri i Jashtëm David Lammy.

Gjatë një fjalimi në parlament, Lammy tha se vendimi vjen pas një rishikimi të licencave të eksportit për armët në Mbretërinë e Bashkuar , i cili zbuloi se ekzistonte një “rrezik i qartë” që ato të përdoreshin në një mënyrë që mund të shkelte ligjin ndërkombëtar.

“Përballë një konflikti si ky, është detyrë ligjore e kësaj qeverie të rishikojë licencat e eksportit të Britanisë ,” tha Lammy.

Rreth 30 nga 350 licenca do të pezullohen, vuri në dukje ai, megjithatë duke shtuar: “Ky nuk është një ndalim i përgjithshëm, kjo nuk është një embargo armësh”.

Qeveria britanike ka qenë nën kritika për vazhdimin e licencave të eksportit të armëve në Izrael.

Në qershor, Departamenti për Biznes dhe Tregti tha se Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar 108 licenca për eksportin e armëve në Izrael që nga 7 tetori, kur filloi konflikti i Gazës, ndërkohë që mbi 300 licenca ishin ende aktive.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb