Britania do t’i japë Ukrainës 2.4 miliardë dollarë hua për blerjen e më shumë sisteme armësh, njoftoi sekretari i Mbrojtjes, John Healey, më 22 tetor.

Njoftimi vjen në kohën kur forcat e Kievit po përballen me luftime të ashpra me forcat ruse në lindje, ndërkaq përditë qytetet dhe infrastruktura ukrainase është cak i sulmeve ajrore.

Shuma e huas që Healey përmendi është pjesë e një huaje më të madhe në vlerë prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën që u bë publike në qershor nga Grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7).

Paratë e kësaj huaje do të merren nga paratë e gjeneruara nga asetet e ngrira sovrane ruse në Perëndim, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Asetet e ngrira ruse vlerësohet se arrijnë shumën prej 300 miliardë dollarësh.

Huaja është “e destinuar si mbështetje buxhetore për shpenzimet ushtarake të Ukrainës, duke u mundësuar ukrainasve të investojnë në pajisje kyçe për përpjekjet e tyre kundër Rusisë, sikurse mbrojtja ajrore, artileria dhe pajisje të tjera”, tha Healey përmes një deklarate të publikuar nga Qeveria britanike.

Kjo hua është shumë shtesë në kuadër të programit ekzistues të Britanisë për mbështetje vjetore ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3.9 miliardë dollarësh dhe vjen pasi Londra veçse ka dhënë 16 miliardë dollarë në formë të mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Kievin.

Rusia ka thënë se përdorimi i aseteve të saj të ngrira është i paligjshëm dhe ka paralajmëruar se do të hakmerret./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: