Kryeministri britanik Boris Johnson do të bëjë debutimin e tij të parë në skenën botërore të shtunën në Samitin e G7 në Francë – ku do të takohet me Presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar mbi një marrëveshje tregtare. Zoti Johnson po përpiqet të paraqesë një perspektivë pozitive në kaosin politik të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian më vonë këtë vit – dhe po i mban shpresat në negociatat për një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara pas Brexit. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, tonet pozitive të Kryeministrit Johnson ka mundësi të jenë jetëshkurtra – ndërkohë që po bëhet i qartë ndikimi i mundshëm negativ i një të ashtuquajturi “Brexit pa marrëveshje”.

Vonesa të gjata në porte dhe aeroporte. Mungesa të ushqimit, ilaçeve dhe karburantit. Trazira civile. Protesta dhe një rikthim i mundshëm i dhunës në Irlandën Veriore.

Këto janë parashikimet e qeverisë britanike për atë që mund të ndodhë në rast se Britania shkëputet nga BE-ja pa marrëveshje në fund të tetorit. Dokumenti, i rrjedhur në mediat britanike, ishte hartuar tre javë më parë. Kryeministri Boris Johnson këmbëngul se informacioni është i vjetëruar.

“Mund të ketë pengesa në rrugë, por ne do të jemi të gatshëm të dalim më 31 tetor – me apo pa marrëveshje. Tani, sigurisht, miqtë dhe partnerët tanë në anën tjetër po tregojnë pak ngurrim për momentin për të ndryshuar pozicionin e tyre. S’ka problem. Jam i sigurt se do ta bëjnë”, tha kryeministri.

Por Brukseli thotë se Britania nuk ka ofruar një “zgjidhje operacionale ligjore” për të mos vendosur një kufi të vështirë mes Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, pika kryesore e debatueshme e marrëveshjes.

“Kjo është pjesë e një strategjie për ta bërë të duket sikur ai është vërtet serioz për një Brexit pa marrëveshje. Do ta mësojmë nëse kjo është vërtet e tillë, deri në fund të shtatorit. Vetëm në fund të shtatorit do të fillojmë të shohim nëse Britania do të kërkojë një zgjatje, do të thërrasë zgjedhje të përgjithshme, apo nëse Boris Johnson do të duhet të bëjë ndonjë kthesë e kështu me radhë . Për momentin, ai është ende në fazat e tij të hershme të periudhës së muajit të mjaltit”, thotë Tim Oliver në Universitetin Loughvorough të Londrës.

Gjatë këtij muaji mjalti politik, udhëheqësi britanik po kërkon një partner të ri përtej Atlantikut pas divorcit me BE-në. Johnson do të takohet me Presidentin Donald Trump për herë të parë në rolin e tij të ri në Samitin e G7-ës. Të dy kanë thënë se duan një marrëveshje të shpejtë tregtare.

“Është sigurisht e mundur që Boris Johnson dhe Donald Trump, pas një Brexiti pa marrëveshje, të negociojnë një marrëveshje të shpejtë tregtare. Marrëveshjet e shpejta tregtare kanë prirjen të jenë mjaft të cekëta dhe kanë vetëm përfitime të padobishme ekonomike. Dhe ndoshta për arsyen se Britania do të ishte goxha e dëshpëruar politikisht për të provuar se marrëveshjet tregtare janë të mundura të arrihen, ajo do të ishte më e favorshme për Shtetet e Bashkuara”, thotë John Springworth në Qendrën për Reformën Evropiane.

Por udhëheqësit e tjerë të G7 kanë frikë nga tronditjet ekonomike të një Brexiti pa marrëveshje – dhe ka të ngjarë t’i thonë kryeministrit të ri britanik se ai është në rrugën e gabuar, thotë analisti John Kirton. “Të gjithë do t’i thonë ‘Boris, vërtetë e ke? Ekonomia britanike po shkon qysh tani tatëpjetë”

Por, me kryeministrin Johnson të ngatërruar në betejat e brendshme politike, nuk ka gjasa që udhëheqësit e tjerë të G7 ta bindin atë të ndryshojë drejtim. Analistët thonë se strategjia e zotit Johnson është që të shpresojë se Bashkimi Evropian do të epet në minutën e fundit – dhe nëse jo, ai do të përpiqet të fajësojë ndërhyrjen e supozuar të Brukselit për kaosin e një Brexiti pa marrëveshje.  /Zëri i Amerikës/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb