Britania e hodhi poshtë idenë për lirimin e një cisterne iraniane, në këmbim të anijes me flamur britanik, të kapur nga Irani në Gjirin Persik. “Kjo nuk ka të bëjë me asnjë lloj shkëmbimi. Ka të bëjë me respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe të rregullave të sistemit ligjor ndërkombëtar”, tha sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, për BBC-në.


Tensionet janë rritur prejse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike. Në javët e fundit, Irani dhe Britania kanë kapur cisterna të njëri-tjetrit, duke vënë edhe më shumë presion mbi marrëveshjen bërthamore.


Duke folur për Sky News, Raab tha se nëse Irani “do që të dalë nga errësira dhe të pranohet si anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar, ai duhet t’i ndjekë rregullat ndërkombëtare”. Raab i bëri komentet pasi luftanija e dytë britanike arriti në Gjirin Persik për të mbrojtur anijet e Mbretërisë së Bashkuar.


Luftanija HMS Duncan iu bashkua luftanijes HMS Montrose për të shoqëruar anijet që lundrojnë nën flamurin britanik përmes Ngushticës së Hormuzit. Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei, tha se propozimi i Britanisë për një mision detar – të udhëhequr nga Evropa – për të shoqëruar cisternat në Gji, është “provokim” dhe “bart mesazh armiqësor”.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se “prania e forcave të huaja nuk do të ndihmojë në sigurinë e rajonit” dhe se “do të jetë burim kryesor i tensioneve”. Më 4 korrik, autoritetet britanike kanë kapur cisternën iraniane Grace 1, në ujërat pranë Gjibraltarit, duke thënë se ajo po bartte naftë drejt Sirisë, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.

Në përgjigje, Garda Revolucionare e Iranit ka kapur cisternën me flamur britanik, Stena Impero, më 19 korrik. Rohani ka sugjeruar se anija mund të lirohet nëse Britania e kthen Grace 1.

(Balkanweb)