Rreth 48 për qind e votuesve të cilët dëshironin të mbeteshin në Bashkimin Evropian janë të pakënaqur me rezultatet e referendumit, saqë kanë iniciuar një peticion për mbajtjen e një referendumi të dytë.

“Nënshkruam për implementimin e rregullës në të cilën nëse votat ‘Pro ose Kundër’ janë më pak se 60 për qind, bazuar në një dalje në votime në më pak se 75 për qind, duhet të ketë një referendum tjetër”, thuhet në peticionin e iniciuar këtë mëngjes.

Siç raportojnë mediat britanike tanimë është bërë e vështirë qasja në peticion, me sa duket për shkak të ngarkesës në rrjet.

Thuhet gjithashtu se deri më tani janë mbledhur 55 mijë nënshkrime dhe ka një rritje për rreth njëmijë nënshkrime në minutë.

Po sipas medieve britanike, të gjitha peticionet që marrin mbi 100.000 nënshkrime duhet të konsiderohen për debat në Kuvend, siç ishte rasti me atë të legalizimit të kanabisit.

Natyrisht, po sipas këtyre mediave një referendum i dytë pothuajse me siguri do të refuzohej, pasi referendumet nuk janë një gjë e tillë që ju mund të merrni një “shans të dytë”.

Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, me një diferencë të ngushtë dje, me një pjesëmarrje prej 72 për qind.

Për tu larguar kishin votuar 51.9 për qind (17,410,742 vota), ndërsa për të qëndruar 48.1 për qind (16,141,241 vota).

Pas rezultatit kryeministri britanik, David Cameron i cili kishte mbështetur fushatën për qëndrim në BE, ka dhënë dorëheqje.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: