Armand Kullau

Për herë të parë, “Vetting” në News24 zbulon se një ndër subjektet që ka importuar kafshë me sëmundjen e Brucelozës nga Greqia është Aleksandër Limka, i cili është ndaluar nga inspektorët e shërbimit Veterinar në Korçë, Ylli Cenkolli.

Por nga procesverbali i mbajtur ngrihen dyshime për numrin e saktë, pasi nga doganat kanë hyrë 40 krerë gjedhësh, ndërkohë në procesverbalin e mbajtur nga veterineri gjenden 37 gjedhë.

Limka
Limka

Nga verifikimi i dokumenteve bëhet fjalë për të njëjtën tufë bagëtish të cilat, sipas dokumenteve, në doganë kanë ardhur nga subjekti “Farma Trikakllon” nga Trikalla e Greqisë e Sotirios Gkoulis. Kujtojmë se dy gjedhët që janë zbuluar me brucelozë nga shërbimi veterinar në Shqipëri lidhen me Aleksandër Limkan.

Nga kërkimet në regjistrin zyrtar të biznesit grek, kompania që ka emërtimin “Ferma Trikalon” rezulton me statusin “e fshirë” deri në vitin 2023.

Vetting kontaktoi kompaninë “Ferma Trikalon” për të kuptuar nëse ishte e njëjta kompani, që rezulton te letrat nga dogana.

Gazetarët pyetën te “Ferma Trikalon” nëse kishte lidhje kjo kompani me eksportet e produkteve në Shqipëri.

Ferma Trikallon
Ferma Trikallon

Pjesë nga biseda telefonike “Vetting-Ferma Trikalon”

Gazetari:     Jo Jo. Arsyeja është se ju keni bërë disa eksporte në Shqipëri.

Punëtori :   Jo jo, ne nuk bëjmë eksporte në Shqipëri!

Gazetari:     Ah, ju nuk bëni eksporte në Shqipëri!

Punëtori:    Po! Nuk është e mundur në Shqipëri!

Gazetari:      Por ky, Sotirios Gkoulis, ky është pronari?

Punëtori:     Si e thatë emrin?

Gazetari:      Sotirios Gkoulis…

Punëtori:     Jo, jo…

Gazetari:       E dini pse po ju pyes? Sepse janë disa dokumenta që përmendin emrin tuaj “FARMA  TRIKAKLLON” prandaj.

Punëtori:      Jo, jo, unë nuk e di këtë emrin.

Gazetari:       E kuptoj.

Punëtori:      Ne nuk  kemi “Sotiris” në kompaninë tonë.

Ne u përpoqëm të lidheshim përsëri me kompaninë, por deri në publikimin e këtij materiali “Ferma Trikalon” ishte e paarritshme.

Sipas Drejtorit të Qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, në lidhje me rastet e kontrabandës së kafshëve duhet të ishin marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur sigurinë ushqimore.

“Nuk duhet të ishin lejuar të importoheshim pa certifikata dhe pa  matrikullën nga Greqia dhe Bullgaria. Nga informacionet që unë kam, nuk jam i sigurt, por e kam si informacion, një pjesë e atyre kafshëve kanë qenë të destinuara për tu asgjesuar në Greqi, kanë qenë me brucelozë, të destinuara për tu asgjesuar në Greqi dhe i janë shitur një tregtari shqiptar dhe kanë ardhur në Shqipëri”, tha për “Vetting” Granit Sokolaj.

Sipas Drejtorit të Alert, Sokolaj, në Shqipëri mund të kenë ardhur kafshë me brucelozë.

“Këto kafshë mund të kenë përfunduar si mish në tregje të hapura apo në thertore, por e them, nuk e kam të sigurt, por e kam si informacion, një pjesë e atyre kafshëve kanë me synim për tu asgjesuar në Greqi.”, deklaroi Granit Sokolaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb