Vendet anëtare të BE-së po krijojnë një regjim sanksionesh për të adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, një ekuivalent i BE-së me aktin “Magnitsky” të SHBA-së, deklaroi kreu i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.

“Sipas kërkesës së disa shteteve anëtare kemi rënë dakord të fillojmë punën përgatitore për një regjim global sanksionesh, për të adresuar shkelje serioze të të drejtave të njeriut”, theksoi Borrell pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Ekziston një konsensus i fortë rreth çështjes”, shtoi Borrell, ndërsa vuri re se disa shtete anëtare kanë ende rezerva. “Tashmë kërkohet një seri hapash, përfshirë këtu përgatitjen e teksteve ligjore”.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas mbështeti iniciativën, duke theksuar se Bashkimi Europian duhet të jetë në gjendje të përgjigjet me masa, në rastet kur ndodhin abuzime të të drejtave të njeriut.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb