Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla u takuan sot pasdite në Bruksel me Presidentin e Parlamentit Europian Sassoli.

Kryeparlamentari Ruçi e falenderoi Presidentin Sassoli për mbështetjen e Parlamentit Europian dhe atij personalisht për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe për çeljen e negociatave. Ruçi e informoj Presidentin Sassoli për arritjet e Shqipërisë  në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit dhe Këshillit Europian për priroritetet kyçe dhe kërkoi mbështetje në këto ditë vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin.

“Reforma në drejtësi po ecën me sukses dhe në muajt e ardhshëm do të bëhen funksionale edhe organet e reja të sistemit të drejtësisë. Korrupsionin dhe krimin e organizuar e luftojmë me ligje më të ashpra dhe jo me retorika.Ne kemi vetëm një plan A për destinacionin tonë dhe ai është BE. Shqipëria kërkon çeljen e negociatave sepse i meriton ato dhe do të jetë një vlerë e shtuar për BE-në.

Presidenti Sassoli e falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për informacionin e detajuar dhe shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Europian për hapjen e negociatave. “Parlamenti Europian është i qartē në qëndrimet e tij sepse jemi shumë të kënaqur nga përparimi i Shqipërisë.Unë do t’i drejtohem mbledhjes së Këshillit Europian me prezantimin e qëndrimit të Parlamentit Europian pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Destinacioni i Shqipërisë është i qartë dhe i shkruar: Bashkimi Europian. Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është me rëndësi strategjike  dhe një stimul për gjithë Ballkanin Perëndimor.”, theksoi Presidenti i Parlamentit Europian Sassoli.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe  Taulant Balla u takuan edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister,  me të cilin u bisedua mbi bashkëpunimin e mëtejshëm të Parlamentit Europian me Shqipërinë, duke u fokusuar në qëndrimet e përbashkëta në politikën e jashtme, bashkëpunimin rajonal e më gjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: