NGA ENIDA HIMAJ*Britania do të detyrohet t’u paguajë të gjitha benefitet ekonomike dhe sociale emigrantëve të saj. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të lartë të Brukselit, të cilët kanë kundërshtuar propozimet e kryeministrit Cameron. Deklarata nga BE, vjen fill pas deklaratave të tij ditën e premte.

Kryeministri britanik u shpreh se Anglia do të shkurtonte benefitet për emigrantët në këtë vend. Mbretëria e Bashkuar ka një numër shumë të lartë emigrantësh, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë. Ndër ta, të shumtë janë ata që nuk kanë leje qëndrimi në këtë vend dhe jetojnë e punojnë ilegalisht në shtetin evropian. Nëse zbatohen propozimet që Cameron tha, familjet shqiptare që jetojnë në këtë vend do të jenë ndër më të prekurat. Ndër të tjera, Cameron u shpreh se do të kthente të gjithë emigrantët nëse për gjashtë muaj nuk do të gjenin një punë apo nuk do të bënin dokumentacionin e rregullt për të punuar në këtë vend.

Gjithashtu David Cameron u shpreh se do të ndryshonte ligjin, i cili lejon familjet e të papunëve të kërkojnë ndihma për fëmijët e tyre, duke vendosur edhe gjoba të majme, që arrijnë në miliona për këta emigrantë. Mbrëmjen e ditës së premte, Kryeministri i Anglisë u zotua se do t’u jepte fund të gjitha ‘dhuratave’ që ky shtet po u jepte emigrantëve. Sipas tij, kjo klasë nuk do të kishte mundësi as të përfitonte nga kreditë e buta që ky shtet jep për shtetasit që jetojnë dhe punojnë në Angli. Edhe Nigel Mills, politikan i Partisë Konservatore, mbështeti idetë e David Cameron. “Lëvizja e lirë është rreth të drejtës për punë, e jo të drejtës për të kërkuar përfitime. BE-ja duhet të pranojë rregullat tona, pasi janë vullneti i popullit britanik dhe Parlamentit”, – u shpreh në fjalën e tij politikani konservator. Më tej, Mills tha se kjo është një betejë e shtetit britanik dhe se ajo çfarë Cameron ka propozuar nuk ishte e paarsyeshme. Por që nga viti 2011, BE ka deklaruar se Britania e Madhe po tregohej shumë diskriminuese me shtetasit e huaj që punojnë në këtë vend. E gjitha, sipas komisionerit Laszlo Andor, bën që shtetasit britanikë ta kenë më të thjeshtë jetesën, duke komplikuar dhe cenuar të drejtat e emigrantëve. Sipas eurodeputetit, kjo mund ta çojë Anglinë edhe në një proces gjyqësor. Edhe këtë herë, zyrtarët e Brukselit kanë dalë kundër kryeministrit, duke lajmëruar edhe dërgimin e çështjes në gjykatë, që gjë sipas politikanëve, në Mbretërinë e Bashkuar do të shkaktonte një zemërim, si të qytetarëve, ashtu dhe të politikanëve. Sipas BE-së, ky shtet duhet të vijojë me benefitet që u janë dhënë deri më sot emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin evropian.

Eurodeputetët thanë se do të ndërmarrin veprime ligjore kundër qeverisë për të ndaluar kufizimet e parashikuara. Deklaratat e qeverisë britanike vijnë pas raportit të Ministrisë së Brendshme, ku thuhet se në Angli janë aktualisht rreth 30 mijë ‘skllevër’. Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, viktimat përfshijnë njerëz të trafikuar nga më shumë se 100 vende. Numri më i madh i tyre vijnë nga Shqipëria, Nigeria, Vietnami dhe Rumania. Skllevërit modernë përfshijnë gratë që detyrohen të ushtrojnë prostitucionin, ata që punojnë në të zezë nëpër shtëpi, fusha, fabrika apo edhe anije peshkimi, gjë që ka shtuar mjaft shqetësimin e këtij krimi të fshehtë, i cili po rritet dita-ditës.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb